Rama: 1 shtatori po vjen, Çeku nuk arriti t’ua sigurojë nxënësve librat

Prishtinë | 27 Gus 2026 | 16:27 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kritikuar ministrin në detyrë të Arsimit, Hajrulla Çekun, lidhur me furnizimin e nxënësve me tekste shkollore para fillimit të vitit të ri shkollor.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama ka akuzuar Çekun për bllokim të proceseve në institucione, duke e lidhur këtë me periudhën kur ai ishte ministër i Kulturës dhe tash me detyrën e tij në Ministrinë e Arsimit.

“1 SHTATORI – PA LIBRA!

Hajrulla Çeku si ministër i Kulturës mbahet mend që e bllokoi krejt Prishtinën jashtëligjshëm, tu e përdorë një draft dokument për trashëgimi kulturore që u bë akt ligjor tek tash më 5 qershor 2026”, ka shkruar Rama.

Ai ka kritikuar Çekun edhe për gjendjen e institucioneve kulturore, duke përmendur Teatrin Kombëtar dhe Muzeun Kombëtar.

“E la krejt Kosovën pa ‘Teatër Kombëtar’, i cili qe 4 vjet është në renovim. I bie që një gjeneratë e ‘Akademisë së Arteve’ i ka nisë studimet edhe ka diplomu pa shku kurrë në Teatrin Kombëtar.

E la krejt Kosovën edhe pa ‘Muze Kombëtar’, i cili me vite është në renovim, duke i rreziku edhe krejt reliktet aty, të cilat janë vendosë në hapsira joadekuate per ruajtje”, ka deklaruar Rama.

Duke iu referuar pozitës së Çekut si ministër në detyrë i Arsimit, Rama ka thënë se tash është bllokuar edhe procesi mësimor.

“Tash, si ministër i Arsimit, e bllokoi edhe procesin mësimor. 1 shtatori po vjen dhe nuk arriti me ua siguru nxënësve mjetin bazë të mësimit, LIBRAT”, ka shkruar ai.

Në fund, Rama ka kritikuar qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje, duke thënë se sipas tij, bllokimi është e vetmja gjë që dinë të bëjnë.

“Kudo që jane këta, veç nje punë dijnë me bo, ME BLLOKU!

Mjerë ky popull për ju. Qe 6 vjet veç prralla jeni tu i kallxu”, ka shtuar Rama.

Të ngjashme