Në Ditën e Dëshmorëve dhe Martirëve të Prishtinës, shoqatat e dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, kanë bërë homazhe te varrezat e dëshmorëve në Velani, raporton Ekonomia Online.
Duke folur për gjendjen në të cilën gjenden këto varreza, Rama tha se prioritet i Komunës do të jetë mirëmbajtja e këtyre varrezave. Ai tha se shumë shpejtë do të hapin një konkurs, në mënyrë që këtë hapësirë ta shndërrojnë në park.
“Këtu gjendja e gjithë këtij parku është në gjendje të mjerueshme në gjendje të keqe që nuk i respekton as dëshmorët as veteranët as presidentin. Projektet duhet me u bë, ne kemi një plan për me bë një konkurs ndërkombëtar për me ba projektin e gjithë të kësaj zone që me përmirësua gjendjen edhe të varrezave të dëshmorëve e veteranëve e presidentit dhe me transformua këtë zonë në park për qytetarët tanë”, tha Rama, teksa u pyet nga një qytetar për gjendjen në këtë park.
“Sot është një ditë e veçantë emocionale për shkak që kemi ardhë këtu me i shpreh respekt dëshmorëve të rënë për lirinë e krejt popullit tonë e Kosovës, dëshmorët e Prishtinës. Kam emocion të veçante që gjendem këtu sot në këtë vend të cilit i duhet një qasje shumë më dinjitoze. I duhet një qasje me një respekt më të madh të cilin ne do ta bëjmë, jemi në proces. Unë në kohën time si profesionist veçse e kam vë këtë në 2010, për shkaqe të ndryshme nuk ka ndodh e tash është koha në aspektin institucional me bë një konkurs ndërkombëtar”, tha Rama.
Kryetari i OVL së UÇK-së dega në Prishtinë, Sylë Vitia, kërkoi nga kryetari që të veprojë në rregullimin e këtyre varrezave.
“Prehen 27 dëshmorë, ka prej tyre edhe veteranë të luftës. Ne jemi sot për me nderu veprën e tyre heroike. Gjendja në të cilën gjenden varrezat nuk është aspak e mirë. Po shpresoj që kryetari, u zotu për këtë dhe sa shpejti ka me vepru në këtë drejtim”, tha Vitia.