Rama dhe Manastirliu zbulojnë kush do ta marrë vaksinën ruse Sputnik V

Prishtinë | 23 Mar 2021 | 11:45 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri shqiptar Edi Rama me Ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu kanë ndjekur nga afër procesin e vaksinimit të pedagogëve të parë në Tiranë në ambientet e Universitetit Politeknik.

“Ka filluar vaksinimi i pedagogëve ku sot vaksinohen këtu në Universitetin e Tiranës 200 pedagogë. Në tërësi janë vaksinuar mbi 12 mijë arsimtarë ose 30 % e mësuesve e kanë marrë dozën e parë të vaksinës AstraZeneca. Kemi arritur në një numër mbi 48 mijë vaksinime, ndërkohë që procesi po vijon”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë tha se me dozat e ardhura dje të vaksinave Sputnik do të vijojë vaksinimi i të moshuarve +80 vjeç, ndërkohë që në ditët në vijim pritet intensifikimi i procesit të vaksinimit.

“Me dozat që erdhën dje do të vijojmë vaksinimin e të moshuarve +80, duke ndjekur planin e vaksinimit. Në tërësi, bashkë me dozat e ardhura dje, kemi 90 mijë doza vaksine në total. Ndërkohë që presim që të na vijnë doza të tjera nga Pfizer në ditët e para të prillit. Gjithashtu, presim nga Covax edhe një sasi tjetër të AstraZeneca, deri tani kemi një të dhënë për 60 mijë deri në 80 mijë vaksina të AstraZeneca. Dhe po konkludojmë negociatat që kemi hapur përsa i përket edhe fillimit të vaksinimit masiv”.

Që prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 48 215 doza të vaksinës ndaj COVID-19.

Janë kryer 27 872 vaksinime për personelin shëndetësor dhe stafet mbështetëse, 7932 vaksinime për të moshuarit dhe 12 411 vaksinime për arsimtarët. Procesi i vaksinimit po kryhet sipas të gjithë parametrave të sigurisë dhe cilësisë nga ekipe të trajnuar vaksinatorësh.

Të ngjashme