Me duartrokitje është shoqëruar mbyllja e fjalës së kryeministrit Edi Rama gjatë takimit të “Open Balkan” ku po merr pjesë online.
Madje moderatori i këtij takimi e ka quajtur Ramën kampioni i “Open Balkan”.
Në këtë takim bie në sy mungesa e Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Moskë, transmeton abcnews.al
Në vend të tij është kryeministrja Ana Brnabiç dhe zv.kryeministri i Serbisë.
Pjesa kryesore e konferencës është zhvilluar online.
Si Rama, ashtu edhe përfaqësuesi i lartë i SHBA-ve për Ballkanin, Gabriel Escobar kanë marrë pjesë online.
Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij online nga Tirana, pasi nuk ishte i pranishëm fizikisht u shpreh se nisma do të vazhdojë edhe pa pjesëmarrjen e të gjitha vendeve, pasi nuk mund t’i bindin.
“Nuk varet nga ne të bindim dikë që “Open Balkan” është i hapur. Duhet të ecim përpara, nuk mund të presim. Varet nga gjithkush që të marrë vendimet e veta. Ne thjeshtë po zbatojmë procesin e Berlinit. Gjithkush të vendosë në mënyrë të pavarur cfarëdo do për vendin e vet”, tha Rama.
I dërguari i SHBA-së deklaroi gjatë takimit se nisma do të ketë sukses vetëm nëse të gjitha vendet, pra 6 shtetet e rajonit do të bëhen pjesë.
“Mbështetja për ‘Open Balkan’ do të bëhet në bazë të tre kushteve që nisma të jetë hapur për të gjithë për anëtarësim të barabartë dhe jo shpërqendrim nga aspiratat evropiane. Pa të 6 vendet nuk mund të ketë sukses” deklaroi ai.