Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka paralajmëruar ngrirje raportesh me Serbinë, në rast se nuk lirohen tre policët kosovarë të kidnapuar në Leposaviq.
Rama këtë e ka thënë në ‘Twitter’, duke potencuar se policët kosovarë nuk kanë kryer asnjë krim dhe duhet që Serbia t’i lirojë menjëherë.
“Sa më shumë mbahen në Serbi këta tre burra që edhe sikur ta kenë shkelur vijën e kufirit s’kanë kryer asnjë krim, aq më pak do jetë e mundur që marrëdhëniet tona bilaterale të mos bëjnë shumë hapa mbrapa! Kjo do jetë java e rikthimit të akullit mes nesh nëse ata nuk lirohen!”, ka shkruar Rama në Twitter.
Rama tutje i ka bërë thirrje Kurtit që të dalë nga, siç e ka quajtur ai “guaca e izolimit”, dhe të bashkëpunojë me ndërkombëtarët.
“Nga ana tjetër nëse de-eskalimi nuk ndodh e humbura e madhe do të jetë Kosova – sepse Serbia mbase nuk jeton dot pa u ri-izoluar! Druaj shumë se sa më shumë Albini këmbëngul në të tijën kundër aleatëve, aq më shumë situata mund të agravohet, duke rikthyer KFOR-in në krye të punës!”
“E atëherë lamtumirë për kushedi sa kohë edhe kontrollit formal të shtetit mbi krejt territorin dhe ta gëzojmë një Republikë të KFOR-it në Veriun e Kosovës! Albin dil nga guacka e vetizolimit dhe mos e humb Veriun duke parë kudo armiq e tradhëtarë! Koha është tani dhe po fluturon!”, ka përfunduar Rama.