Rama: FSK ka presione nga jashtë Kosovës, por do të jetë në shërbim të të gjithëve

Prishtinë | 19 Nën 2018 | 11:23 | Nga Ekonomia Online

Komandanti i Forcës së Sigurisë të Kosovës gjenerallejtënant Rrahman Rama në kuadër të Forumit Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifax, ishte mysafir i Panelit të Forumit, bashkë me ministrin e Mbrojtjes së Kanadasë, Hajrit Sajjan me tematikën „Parimet e Vankuverit dhe Misionet Paqeruajtëse“, ku në këtë kuadër komandanti i FSK-së gjeneral Rama theksoi suksesin e misionit ndërkombëtar në Kosovë lidhur me ndërtimin e kapaciteteve vendore të sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe shprehu gatishmërinë që Kosova të jetë ofrues i sigurisë në të ardhmen.

 Komandanti i FSK-së, gjenerali Rrahman Rama, gjatë pjesëmarrjes në Forumin Ndërkombëtar të sigurisë në Halifax të Kanadasë, u takua me homologun e tij nga Kanadaja, gjeneralin Jonathan Vance, shef i Mbrojtjes i Forcave të Armatosura të Kanadasë, me të cilin diskutuan për  mundësitë e thellimit të bashkëpunimit. Komandanti i FSK-s, gjithashtu e njoftoi homologun e tij edhe me procesin e tranzicionit dhe ndryshimin e mandatit të FSK-së.

 Gjeneral Rrahman Rama është takuar edhe me Komandantin Suprem të Forcave të Armatosura të Suedisë, gjeneralin Micael Bydén, ku diskutuan lidhur me progresin e FSK-së, kontributin e Suedisë në NALT, (Ekipi Këshillues Ndërlidhës i NATO-s për FSK-në) si dhe vazhdimin e një bashkëpunimi më dinamik në të ardhmen në mes të dy forcave.

 Gjatë punimeve të forumit, komandanti i FSK-së gjeneral Rama ka biseduar edhe me  kryeshefin e shefave të Shtabit të Ushtrisë Amerikane, gjeneralin Joseph F. Dunford,  në pritjen e organizuar nga shefi i Mbrojtjes së Kanadasë me rastin e Forumit Ndërkombëtar. Komandanti i FSK-së, gjenerali Rrahman Rama falënderoi gjeneralin Dunford për mbështetjen e vazhdueshme si dhe për marrëdhëniet e veçanta që ka Kosova me SHBA-të.

 Komandanti i FSK-së i ka siguruar homologët që Forca e Sigurisë do të vazhdojë të jetë institucioni më i besueshëm në vend  dhe se gjithë-përfshirja dhe profesionalizmi do të jenë rrugëtimi i suksesit. Forca do të jetë në shërbim të të gjithëve pa dallime, edhe përkundër vështirësive dhe presioneve që po vijnë nga jashtë Kosovës.

Të ngjashme