Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, ka pranuar ftesën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për të takuar homologun e tij grek, Nikos Dendias, në Tiranë, në përpjekje për të biseduar për një zgjidhje të mundshme për Mesdheun Lindor – të cilësuar si një nga krizat më të thella mes dy shteteve në dekadat e fundit.
Cavusoglu deklaroi se kryeministri Rama donte ta sillte atë së bashku me ministrin e Jashtëm grek, Niko Dendias, në Tiranë, por Dendias hyri në karantinë gjatë kësaj periudhe.
“Unë jam gati të shkoj për takimin në Tiranë, me ftesë të Ramës”, tha ai.
Lajmin e kanë bërë të ditur mediat turke, duke thënë se ministri i Jashtëm i Turqisë ka biseduar në telefon me kryeministrin Rama dhe ka pranuar ftesën për një organizim joformal të bisedimeve mes dy vendeve të tensionuara.
Përgjigjja nga Turqia vjen disa ditë pas vizitës së kryeministrit Edi Rama në Ankara, ku është pritur nga presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan. Rama, më pas, ka vizituar edhe Greqinë, ku është pritur nga krerët e lartë të vendit.
Tensionet në Mesdheun Lindor kanë qenë temë e disa vizitave të sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, gjatë të cilave ai ka shprehur shqetësimin e Shteteve të Bashkuara për veprimet e Turqisë dhe u ka bërë palëve ftesë që ta zgjidhin kontestin me rrugë diplomatike.
Turqia dhe Greqia nuk kanë marrëdhënie për delimitimin detar mes tyre dhe Turqia nuk e njeh sovranitetin e Qipros mbi ujërat detare.
Ky është konfirmimi i parë për takim mes dy palëve qëkur filluan tensionet në korrik të vitit 2020 dhe hera e parë që Shqipëria mund të luajë rol në ndërmjetësimin mes dy shteteve, me të cilat ka marrëdhënie të mira diplomatike, për të tejkaluar një krizë me karakter ndërkombëtar.
Tensionet mes Turqisë dhe Greqisë, që të dyja shtete anëtare të NATO-s, kanë filluar në verën e vitit të kaluar rreth eksplorimit të gazit natyror në Detin Mesdhe.
E përfshirë në këtë eksplorim është edhe Qiproja, vend anëtar i BE-së, dhe një sërë shtetesh tjera mesdhetare, të cilat janë pjesë e një përpjekjeje për të ndërtuar një gazsjellës te ri, si burim të mundshëm alternativ për furnizimin e Evropës me gaz natyror dhe zvogëlimin e dominimit të gazit rus në kontinentin evropian.
Kësaj përpjekjeje, Turqia iu përgjigj me dërgimin e anijes së saj eksploruese, duke përkeqësuar marrëdhëniet me Greqinë dhe Francën, e cila kishte kërkuar nga Bashkimi Evropian sanksione të ashpra ndaj Turqisë.