Kompania e cila u shpërblye me tender në vlerë rreth 3 milionë euro për ndërtimin e shkollës në lagjen Kalabria, e ka fituar edhe një tender tjetër për këtë projekt.
Përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit të kontratës, Komuna e Prishtinës ka lidhur kontratë në vlerë mbi 100 mijë euro me kompaninë “ALFA.i”, për punë shtesë dhe të pa parapara.
“Komuna e Prishtinës shpërblen me kontratën: Operatorin Ekonomik: ALFA.i. rr. Ibrahim Rugova pn,. Lipjan, me çmimin më të lirë të negociuar prej 100.001.50”, thuhet në vendim.
Nënshkrimi i saj planifikohet të bëhet nesër.
Tek punët shtesë renditen ato të dheut, të zhavorit si dhe instalimi i tokëzimit dhe rrufepritësit.
Ditën kur ishte vënë gurthemeli i kësaj shkolle, Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama kishte deklaruar se me përfundimin e kësaj shkolle, rreth 1000 fëmijë të Lagjes Kalabria nuk do të humbin kohë në udhëtim në shkolla të lagjeve tjera dhe telashet e prindërve për t’i bartur fëmijet e tyre do të marrin fund.
“Kjo do të reduktojë dukshëm komunikacionin në Kryeqytet”, kishte thënë ai.
Po atë ditë, një qytetar kishte kundërshtuar fillimin e punimeve me pretendimin se ka kontest pronësor,
Rama e kishte pritur më pas të njëjtin në zyrë.
“Rafuna na informoi se rasti është në procedurë gjyqësore për pretendimet e tij rreth një pjese të kësaj prone dhe që kërkesa e tij ishte që të ndalen punimet. Kryeqyteti nuk i mohon askujt të drejtën e ushtrimit të ankesës apo inicimit të rastit gjyqësor, por derisa nuk ka vendim gjyqësor për vendosjen e masës së përkohshme (e cila i është refuzuar palës) puna në ndërtimin e shkollës në lagjen “Kalabria” po vazhdon sipas planit pasi Kryeqyteti ka kryer të gjitha procedurat për ndërtimin e shkollës në atë lokacion në pajtim me planin rregullues” – kishte shkruar Rama pas takimit.