Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas protestës së shoferëve të autobusëve nga Podujeva, të cilët kundërshtojnë vendimin për linjat ndërurbane.
Rama ka theksuar se ky vendim është zbatuar nga të gjitha qytetet e tjera të Kosovës dhe se ka për qëllim përmirësimin e trafikut në kryeqytet.
Sipas Ramës, vendimi kërkon që linjat ndërurbane të përdorin rrugët rajonale dhe të kenë si pikëndalimi Stacionin e autobusëve, duke shmangur qarkullimin e autobusëve ndërurbanë brenda Prishtinës.
“Kemi pritur disa herë përfaqësuesit e linjave nga Podujeva dhe jemi dakorduar që autobusat e tyre të ndalojnë te Stacioni i autobusëve. Po ashtu jemi dakorduar që Inspektorati i Prishtinës do të kujdeset për largimin e taksive ilegale në rrugën ‘Ilir Konushevci’, që po dëmtojnë operatorët e Podujevës”, ka shkruar Rama, i cili ka bërë thirrje që të respektohet vendimi, duke theksuar se mosrespektimi sjell pasoja ligjore, përfshirë gjobat policore.