Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka reaguar ndaj shqetësimeve të shumta pas raportimeve dhe reagimeve të qytetarëve dhe figurave politike dhe publike për rritjen e çmimit të tatimit në pronë.
Përmes një postimi në Facebook, Rama u ka shpjeguar qytetarëve më shumë në lidhje me këtë proces.
Ai sqaron se i vetmi autoritet kompentent për vlerësimin e pronave është Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.
“Bazuar në dispozitat e Ligjit në fuqi për Tatimin në Pronën e Paluajtshme (neni 17 i Ligjit nr. 06/005 dhe UA MF-Nr. 08/2019) Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve është autoriteti kompetent për vlerësimin e pronave, ndërsa Kryeqyteti sipas të njejtit Ligj, cakton përqindjen e tatimit në pronë në bazë të vlerësimit të Ministrisë”, shkruan Rama.
Mirëpo, kryetari i kryeqytetit thotë se megjithatë, kryeqyteti e ka caktuar përqindjen më të ulët të mundshme të tatimit në pronë.
“Norma më e ulët e lejuar është 0.15% e shumës së përcaktuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve”, njofton Rama, duke shtuar se “Kryeqyteti nuk ka pasur asnjë ndikim në rritjen e faturave të tatimit në pronë, por rritja ka ardhë si pasojë e ri-vlerësimit të pronave nga Ministria e Financave”.