Rama lajmërohet me homologun maqedonas: Nuk e presim më Godonë

Prishtinë | 23 Qer 2022 | 10:16 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri shqiptar Edi Rama nuk është entuziast për rezultatet e Samitit të sotëm në Bruksel me partnerët evropianë.

Megjithë pesimizmin se do të marrin një përgjigje për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Rama dhe homologu i tij maqedonas, Dimitar Kovaçevski, vendosën të marrin pjesë në Samit pas disa hamendësimeve nëse duhet të shkojnë në Bruksel ose jo.

Rama foli hapur edhe para gazetarëve se nuk shpreson shumë, por ironinë e shprehu edhe më shumë në një postim në Twitter, ku publikoi një ‘selfie’ me Kovaçevskin.

“Ende duke pritur Godonë? Jo, ne jemi mësuar me këtë sharadë* dhe ne jemi më të përkushtuar se kurrë për të shtyrë përpara vendet tona dhe rajonin tonë drejt modernizimit me një frymë të palëkundur europiane”, ka shkruar Rama.

Rama para nisjes së Samitit iu tha se “Bullgaria, vend anëtar i NATO-s, i ka kidnapuar dy vende anëtare të NATO-s, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, duke mos shprehur aspak optimizëm se BE do t’i hapë negociatat për anëtarësim, raporton Gazeta Express.

Ai tha po ashtu se vendet tjera të BE-së nuk po bëjnë asgjë tjetër përveçse po vështrojnë.

“Unë ua kam thënë dhe po e përsëris. Përkundër optimizmit të ngutur të disave edhe këtu në Bruksel, nuk pres të zgjidhet asgjë në Bullgari, por edhe nëse do të zgjidhet, do të jetë një motiv për të marrë frymë të lehtësuar nga kjo pengmarrje e një vendi të NATO-s, të dy vendeve të NATO-s në kulmin e një lufte të nxehtë në kufi të Europës dhe nën vështrimin e 26 vendeve tjera që shohin si yjet që rrinë e vështrojnë”, tha Rama.

*sharadë përdoret për një pretendim absurd që synon të krijojë një pamje të këndshme ose të respektueshme.

Të ngjashme