Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në konferencë për media ka folur lidhur me mos-përfshirjen e buxhetit të Prishtinës në Buxhetin e Kosovës. Ai tha se kjo nuk ishte neglizhencë por cenim i rendit kushtetues, raporton Ekonomia Online.
Rama gjithashtu përmendi pasojat nga mospërfshirja e Prishtinës në projektligjin për buxhetin.
“Më 6 shkurt të vitit 2026, Kuvendi i Kryeqytetit e ka miratuar buxhetin e komunës së Prishtinës për vitin 2026. Po atë ditë, brenda afateve ligjore, ky buxhet i miratuar është dërguar brenda afatave ligjore ne Ministrinë e administrimit publik lokal dhe Ministrinë e Financave, por nuk është përfshirë në projektligjin për ndarjet buxhetore të Republikës së Kosovës, i cili tashmë ndodhet në procedurë parlamentare.
Këtë e kanë bërë pa asnjë arsyetim dhe pa asnjë bazë ligjore. Kjo nuk është neglizhencë administrative, por cenim i drejtpërdrejtë i rendit kushtetues. Buxheti i komunës së Prishtinës është i vetmi dokument financiar që i jep Kryeqytetit fuqinë për të ushtruar kompetencat e tij kushtetuese dhe çdo ndërhyrje apo përjashtim arbitrar është shkelje flagrante e autonomisë lokale dhe e ligjeve për financat publike.
Këto pasoja nuk janë vetëm teorike, por edhe reale e të menjëhershme. Si rezultat, bllokohen shërbimet publike për qytetarët, ndalen projektet kapitale dhe paralizohet funksionimi institucional i Kryeqytetit. Askush nuk ka të drejtë ta marrë peng Kryeqytetin”, tha ai.
Rama potencoi se kanë kërkuar për përfshirje të menjëhershme të buxhetit.
“Asnjë institucion nuk ka mandat të vendosë për Kryeqytetin jashtë sistemit buxhetor të Republikës dhe, për këtë arsye, menjëherë i jemi drejtuar Komisionit për Buxhet, Transfere dhe Punë të Kuvendit të Kosovës, si dhe kryetares dhe Kryesisë së Kuvendit. Kemi kërkuar përfshirjen e menjëhershme dhe të plotë të buxhetit të miratuar në Komunën e Prishtinës para votimit final të Ligjit për Buxhetin për vitin 2026” theksoi Rama.
