Kryeministri shqiptar Edi Rama deklaroi pasditen e së enjtes se askush nuk e di se kur do të çlirohemi nga “makthi” i koronavirusit.
“Nuk e dimë se kur do të çlirohemi nga ky makth. Prandaj, të dashurit e mi, mos më kërkoni t’ju shes iluzione e t’ju mbaj me llafe të bukura. Shtrëngoni dhëmbët, stërvisni veten duke luftuar me zakonet e jetës së përditshme. E di që ka ende plot nga ju që akoma nuk e kuptojnë pse nuk duhet të dalin shëtitje. Kjo është e para luftë në historinë e njerëzimit që e ka zbukuruar botën. Është e para që e kthen një popull në një familje të madhe të mbyllur brenda mureve”, tha Rama.
Kreu i qeverisë shtoi se “qeveria do të bëjë gjithçka mundet, por çdo anëtar duhet të vetëdijësohet se gjithçkaja nuk përfshin shumëçka që jemi mësuar të kemi në kohën tonë të paqes”.
“Në luftë, të ardhurat gjithmonë bien, si për popullin, ashtu edhe për shtetin. Sepse shteti mbahet me taksa. Në këtë luftë, të ardhurat e shtetit do të bien në pikiatë. Duke mos e ditur se sa do të zgjasë kjo periudhë, nuk mund të jetë një plan për t’i kënaqur të gjithë sot dhe për t’i lënë me gisht në gojë nesër. Të ardhurat në buxhetin e shtetit tonë këtë muaj do të bien shumë. Po muajin tjetër sa më shumë do të bien? Ndajeni mendjen se në këtë luftë për ekzistencë jemi vetëm. Nuk jemi pas tërmetit kur riprogramuam buxhetin dhe i shtrimë dorën botës si hallexhinj duke garantuar fondet e rindërtimit. Sot, na ka hyrë në shtëpi një armik që rrezikon të na marrë qindra njerëz dhe të na shtrojë në spital mijëra të tjerë. Nuk kemi kujt t’i shtrijmë dorën pasi askush nuk e shikon hallin që na zuri, pasi bota i ka mbyllur dyert”, deklaroi Rama./ A2 CNN