Partia Socialiste përmbyll sot në Vlorë fushatën për zgjedhjet e 25 prillit. Në fjalën e tij, kryeministri Edi Rama ironizoi Presidentin Ilir Meta duke iu kërkuar qytetarëve që t’i tregojnë atij që nuk ka parë gjë akoma.
Rama u zotua se në mandatin e tretë Vlora do të jetë 12 herë më e zhvilluar, duke thënë se në këtë qark do të ketë investime të mëdha.
“Unë sot e kuptova që nga Vlora nuk kam parë gjë akoma. Unë sot ju kërkoj ju që jeni këtu dhe të gjithë atyre që para se të jenë socialistë, demokratë, të majtë, të djathtë, të kënaqur, të pakënaqur, janë vlonjatë, që të dielën t’i tregojnë tërë Shqipërisë dhe sidomos atij turpi kombëtar që quhet president, që nuk ka parë gjë akoma. Më pyeti një ditë Damiani, më tha ore na mbeti Likja në Vlorë, i thash është ajo puna e derës së xhamisë, ka shkuar te dera e xhamisë dhe në 25 prill Vlora do ja lërë përgjithmonë historisë, atë, Saliun, Lulin, Monikën dhe tërë paçavuret që na janë qepur mbrapa 30 vite. Nëse na jepni 9 mandate do të bëjmë 12 herë më shumë për Vlorën” tha Rama.