Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë për komentet lidhur ndeshjen e Kombëtares Shqipëri-Çeki, ku ai dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, u ulën të ndarë në stadium.
Në një intervistë të dhënë mbrëmjen e sotme (19 tetor) në “Opinion”, Rama u shpreh se nuk kishte dijeni për vizitën e Kurtit në Tiranë, duke e cilësuar si një çështje protokolli.
“Në boksin e veçantë ishte jo vetëm Albini, por edhe një pjesë e anëtarëve të qeverisë së Kosovës, ishte zv.kryeministri i Maqedonisë së Veriut, ishte dhe zv.kryeministrja jonë me të tjerë”, deklaroi Rama.
Pjesë nga intervista:
Pyetje: Edhe në ndeshjen me Çekinë, kryeministri i Shqipërisë rrinte në katin e dytë, kryeministri i Kosovës në katin e tretë, çfarë ndodhi në atë ndeshje? Edhe pse është e parëndësishme, vizivisht për qytetarët është…
Edi Rama: Unë nuk merrem me organizimin e protokollit, unë kisha tre vendet që kisha vetë, dhe vajta u ula në 3 vendet që kisha vetë, dhe në ndërkohë në atë boksin e veçantë, se pastaj pyeta dhe unë…
Pyetje: Ju s’dinit gjë që Albin Kurti kishte mbërritur në Tiranë, s’ju kishte lajmëruar njeri? As protokolli i Kosovës, as protokolli i Shqipërisë
Edi Rama: Fare! Në boksin e veçantë ishte jo vetëm Albini, por edhe një pjesë e anëtarëve të qeverisë së Kosovës, ishte zv.kryeministri i Maqedonisë së Veriut, ishte dhe zv.kryeministrja jonë me të tjerë.
Pyetje: Jo kjo tregon që marrëdhëniet nuk janë normale, përderisa as protokolli, as kryeministri i Kosovës nuk ju njofton që po vjen në Tiranë.
Edi Rama: Kjo besoj s’është pyetje për mua, sepse unë kur shkoj në Kosovë i njoftoj të gjithë, kush më pret, kush s’më pret, nuk ka problem.