Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka thirrur konferencë për media lidhur me vendimin e Kuvendit Komunal të Prishtinës për këmbimin e pronës komunale te Prishtina e Re me disa hektar tokë në Badoc, raporton Ekonomia Online.
Rama ka thënë se procesi për këmbimin e kësaj prone ka nisur dy vjet para se ai të bëhet kryetar.
Sipas Ramës, për këtë process janë ndjekur të gjitha hapat ligjorë dhe procedural ashtu siç kërkohet.
“E kam thirr këtë konferencë për shkak se ditëve të fundit kemi qenë cak i sulmeve të shumta që kanë për qëllim denigrimin e qeverisjes se kryeqytetit, por edhe timin personal. Duke ju referuar një procesi të këmbimit, proces i cili ka filluar qysh para qeverisjes tonë, pra dy vite para qeverisjes tonë. Pra ky këmbim nuk ka filluar gjatë kohës tonë, por më shumë se dy vite më parë. Edhe kjo si pasojë e vendimeve të Ministrisë së Ambientit”, tha Rama.
Tutje, ai tha se ky proces nuk ka përfunduar. Sa i përket raportimeve se do të këmbehet prona komunale me sipërfaqe rreth 20 hektarë me një me rreth 8 hektarë, Rama tha se kjo nuk qëndron meqë Ministria e Financave e përcakton se sa tokë do të këmbehet.
“Ne si kryeqytet jemi duke zbatuar një proces të rregullt i miratuar nga Asambleja Komunale, i vlerësuar nga MAPL dhe është ende proces i papërfunduar, pra është në zhvillim e sipër. Kemi ndjekur të gjitha hapat ligjorë dhe procedural në bazë të vlerësimeve të bëra nga ministritë përkatëse, pasi që pala ka pasur vendime të miratuara nga ministritë për këmbim të pronës, e që e obligon kryeqytetin me vepruar… Ministria e Financave ka me përcaktua sa tokë kemi me dhanë, pra Ministria e Financave është i vetmi autoritet që e bën vlerësimin e pronave e jo ne”.
“Unë nuk e kam nis këtë proces, por si kryeqytet jemi të obliguar me i zbatuar vendimet e ministrive të marra dy vite para se me u bë unë kryetar. Unë nuk kam dëmtuar interesin publik, por kam trashëguar vendimet e institucioneve që I kanë vlerësuar tokat e Badocit si interes publik”, deklaroi Rama.
Drejtoresha e Departamentit të Pronës në Komunën e Prishtinës, Doruntinë Maloku, ka thënë se ditëve të fundit janë bërë cak i sulmeve për një proces që ka filluar në vitin 2019 ndërmjet palëve private dhe zyrtareve të Komunës së Prishtinës.
Ajo para mediave ka paraqitur dokumente ku sipas saj, janë fakte që tregojnë në detaje se si është zhvilluar i tërë procesi.
“Ditëve të fundit jemi bërë cak i sulmeve të një pas njëshmeve për një proces i cili ka filluar në vitin 2019 ndërmjet palëve private dhe komunës së Prishtinës. Më lejoni që të ju informoj dhe panë vetes kam edhe dokumentacionin për secilën çështje do të flasë për të ju argumentuar se si është zhvilluar ky proces nga dita e parë dhe ku jemi sot”, tha ajo.