Rama: Punëtorët e “Pastrimit” s’do të mbesin pa punë, s’do të lejojmë që pastrimi i kryeqytetit të sabotohet për arsye politike

Prishtinë | 04 Dhj 2024 | 16:51 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar lidhur me protestën e mbajtur gjatë ditës nga punëtorët e kompanisë “Pastrimi”, për të cilët ka garantuar se nuk do të mbesin pa punë.

Rama ka thënë se nuk do të lejojnë që pastrimi i kryeqytetit të sabotohet për arsye politike!

“Punëtorët e kompanisë ‘Pastrimi’ nuk do të mbeten pa punë, dhe qytetarët e kryeqytetit nuk do të mbeten pa shërbimin e grumbullimit të mbeturinave. Për shkak të kapaciteteve të pamjaftueshme të kompanisë ‘Pastrimi’ për të përmbushur nevojat e kryeqytetit, që nga muaji maj kemi angazhuar  operator privat, për të garantuar shërbime cilësore të merituara për qytetarët”, ka shkruar Rama. 

“Angazhimi i operatorit privat dhe furnizimi i Kryeqytetit me kontenierë të rinj kanë përmirësuar dukshëm menaxhimin e mbeturinave. Pavarësisht këtyre përmirësimeve, asambleistëve opozitarë po bëjnë përpjekje për të ndryshuar rregulloren që do të pamundësonte ofrim-shërbimin nga operatorët privatë. Një vendim i tillë do të rikthente problemet e mëparshme me mbeturinat, duke rrezikuar shëndetin publik dhe cilësinë e jetesës në Kryeqytet”. 

“Shprehim keqardhje për politizimin e këtij shërbimi thelbësor. Penalizimi i qytetarëve për arsye politike është johuman dhe i papranueshëm. Përhapja e dezinformatave se punëtorët do të mbeten pa punë është një përpjekje e ulët për të krijuar frikë dhe panik.  Angazhimi i operatorit privat ishte dhe mbetet një mbështetje për kompaninë ‘Pastrimi’ dhe jo një zëvendësim i saj. Kështu, do të vazhdojë të jetë edhe në të ardhmen”, ka shkruar Rama në Facebook.

Të ngjashme