Rama shpërthen ndaj SPAK për Ballukun: Rast unik në Evropë, prokurorët morën kompetencat e kryeministrit

Prishtinë | 22 Nën 2025 | 19:52 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka komentuar për herë të parë pezullimin e Belinda Ballukut nga detyra e ministres së Infrastrukturës dhe Energjetikës, si dhe nga pozita e zëvendëskryeministres, vendim i marrë nga SPAK dhe i ekzekutuar nga Gjykata.

Gjatë konferencës së përbashkët me komisioneren për Zgjerim Marta Kos, Rama theksoi se qeveria mbështet plotësisht pavarësinë e drejtësisë, duke e cilësuar këtë si një “shkëputje historike nga e kaluara”. Megjithatë, ai paralajmëroi se do të mbrojë po aq fort pavarësinë e ekzekutivit, duke e çuar vendimin e pezullimit në Gjykatën Kushtetuese.

Kreu i qeverisë e quajti vendimin e pezullimit “rast unik në Evropë”, duke akuzuar trupat speciale të drejtësisë se kanë ndërhyrë në kompetencat e pushtetit ekzekutiv.

Sipas tij, asnjëherë në vendet e tjera të rajonit apo të BE-së nuk ka ndodhur që një prokuror dhe një gjykatës të shkallës së parë të pezullojnë një anëtar të qeverisë që mban edhe detyrën e zëvendëskryeministrit.

Rama theksoi se ky është një shembull i “dobësive të natyrshme të një pushteti të ri” dhe i “reflekseve të vjetra antidemokratike”.

Pavarësisht kritikave, Rama u shpreh se qeveria nuk do të angazhohet në beteja politike me organet e drejtësisë, duke theksuar se vendimet e tyre do të respektohen.

Ai theksoi se qëndrimi zyrtar i qeverisë do të fokusohet vetëm te rruga kushtetuese:

“Vendimin e pezullimit do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese, e cila do të japë fjalën përfundimtare.”

Rama konfirmoi se deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, qeveria e Shqipërisë mbetet pa zëvendëskryeministër dhe pa një ministër funksional të Infrastrukturës dhe Energjetikës.

“Për periudhën që flasim, qeveria e Shqipërisë nuk ka zëvendëskryeministër dhe nuk ka një ministër të infrastrukturës dhe energjisë që funksionon”, deklaroi ai.

Kryeministri mbylli reagimin duke ritheksuar se forcat politike nuk duhet të ndërhyjnë në pavarësinë e drejtësisë, por as drejtësia, sipas tij, nuk duhet të cenojë funksionimin e qeverisë:

“Mbrojtja e pavarësisë së re të sistemit të drejtësisë është prioriteti ynë absolut, por po aq prioritare është mbrojtja e pavarësisë së ekzekutivit.”

Të ngjashme