Rama: Shyqyr që iku Ibrahim Rugova pa parë edhe ai ndonjë video propagandistike për tradhtinë e tij

Prishtinë | 12 Tet 2023 | 12:38 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se për të nuk ka nder më të madh sesa të akuzohet si tradhtar, bashkë me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Rama në diskutimin e sotëm në Kuvendin e Shqipërisë i kushtoi rëndësi kritikave ndaj tij, si dhe sulmet me video ndaj ish-kryeministrave e ish-presidentëve të Kosovës në rrjetet sociale, duke pyetur se çfarë video do të kishte parë Ibrahim Rugova për veten, por të ishte gjallë, raporton Gazeta Express.

“Është mirë që teoricienët dhe praktikanët e patriotizmit elektoral ta dëgjojnë këtu sot se për mua nuk ka nder më të madh në raport me Kosovën se të jem i bashkëakuzuar me Hashim Thaçin si tradhtar dhe nuk ka provë më të madhe sesa kjo aktakuzë e përbashkët me Hashimin për dritëshkurtësinë dhe për papërgjegjshmërinë historike të përpiluesve të saj. Ata kujtojnë se lufta diplomatike me Serbinë fitohet duke zhgarravitur flamurin e fitores së lavdishme të UÇK-së, e cila do të jetë krenari shekujsh për shqiptarët, kur zhgarravitësit e sotëm të saj do të jenë harruar pa nam e pa nishan, meqë ra fjala”, tha Rama.

Kryeministri shqiptar tha “shyqyr që iku Ibrahim Rugova” pa parë se si, sipas tij, do të sulmohej tash.

“Them me vetveten shyqyr që iku Ibrahim Rugova nga kjo botë pa parë edhe ai ndonjë video propagandistike për tradhtinë e tij dhe pa u kryqëzuar edhe ai me ato gozhdat e helmit digjital si ‘axha i Vuçiqit’”, tha ai.

Rama tha se kjo “nuk është rastësi”, por “vazhdimësia e një vije të vjetër uji të helmuar me nacionalizëm”.

Të ngjashme