Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka treguar që me shumicë votash të këshilltarëve komunalë është votuar Rregullorja për Menaxhimin e Parkingjeve Publike.
Sipas tij, në rregulloren e votuar është eliminuar pagesa për banorët rezidentë në adresën e tyre, raporton Klan Kosova.
“Po ashtu, gjatë seancës u votua propozimi që të ulet çmimi i pagesës për parking për automjetin e dytë. Edhe kjo mjaft pozitive për banorët”, ka shkruar ai në Facebook.
“Është bërë zgjatja e orarit të punës së Prishtina Parking deri në orën 23:00 me qëllim që të sigurojë se në zonat rezidenciale hapësirat shfrytëzohen nga banorët rezident. Kësaj i është bashkangjitur edhe kufizimi i parkimit të vizitorëve në hapësirat rezidenciale me qëllim që prioritet të jetë banori i rrugës përkatëse”, ka shtuar ai.
Në fund, Rama ka thënë se tashmë Komuna ka sjellë një rregullore që siguron funksionalitet dhe rregull në lagje dhe në parkingjet e Prishtinës.