Në kuadër të vizitës zyrtare dhe vazhdën e takimeve zyrtare në Pentagon, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, i shoqëruar nga ambasadori i Republikës së Kosovës në SHBA, Valdet Sadiku, është takuar edhe me Zv.Asistenten e Sekretarit te Mbrojtjes për Çështje të Sigurisë Ndërkombëtare për Rusi dhe Euro Azi, Dr. Laura Copper.
Në këtë takim, gjeneral Rama falënderoi për mbështetjen dhe ndihmën e madhe të dhënë nga SHBA për implementimin e planit të tranzicionit të FSK-së. Njëkohësisht, Gjeneral Rama njoftoi Dr. Cooper për zhvillimin dhe të arriturat e deritashme të FSK-së duke kërkuar mbështetjen edhe në të ardhmen për pajisje, trajnime të avancuara në procesin e ngritjes dhe zhvillimit të kapaciteteve të reja të FSK-së. Gjeneral Rama shprehu gatishmërinë e plotë që FSK të vazhdoj pjesëmarrjen në misione paqeruajtëse përkrahë ushtrisë amerikane për të dhënë kontributin e saj ne shërbim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit global.
Dr Cooper përgëzoi gjeneral Ramën për lidershipin e tij si dhe të arriturat e deritashme të FSK-së. Ajo përgëzoi Kosovën dhe FSK-në për zbarkimin në Kuvajt përkrahë ushtrisë amerikane. Njëherësh, Dr Cooper theksoi se do të jetë e përkushtuar që ShBA të jetë vazhdimisht në përkrahje dhe mbështetje të FSK-së në implementimin e planit të tranzicionit.
Gjeneral Rama gjithashtu në takim të ndarë u takua edhe me Zv.Drejtorin për Çështje Politiko-Ushtarake për Evrope, NATO dhe Rusi në Shtabin e Bashkuar në Pentagon, Kundëradmiralin Lewis. Në këtë takim Gjeneral Rama diskutoi për zhvillimin e FSK dhe zbarkimin e saj në Kuvajt si dhe shprehu gatishmërinë e FSK-së për të kontribuuar edhe në misione të tjera paqeruajtëse. Kundëradmirali Lewis përgëzoi Gjeneral Ramen për sukseset e FSK-së dhe shprehu gatishmërinë për të mbështetur FSK-në gjatë zhvillimit të kapaciteteve të saj.