Rama vlerëson trashëgiminë profesionale të Faton Osmanit në Akademinë Përkujtimore

Prishtinë | 11 Shk 2026 | 11:53 | Nga Ekonomia Online

Në Akademinë Përkujtimore të organizuar nga Agjencia e Lajmeve “Ekonomia Online” dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), në nder të jetës dhe veprës së gazetarit dhe themeluesit të kësaj agjencie, Faton Osmani, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka mbajtur një fjalim përkujtimor ku theksoi rolin e tij në zhvillimin e gazetarisë ekonomike dhe ndërtimin e standardeve profesionale në media, raporton Ekonomia Online.

Në emër të Kryeqytetit të Prishtinës, Rama shprehu mirënjohje për kontributin e Osmanit në gazetarinë kosovare dhe ngushëllime për familjen, kolegët dhe komunitetin e gazetarëve, duke theksuar se kujtimi i tij mbetet i gjallë në profesionin që zgjodhi dhe në standardin që ndërtoi.

Rama vlerësoi se Osmani i përkiste atij lloji të gazetarisë që nuk matet me zhurmën e titujve, por me peshën e saktësisë dhe domethënien e informacionit, duke shtuar se ai raportonte për buxhete, zhvillime ekonomike dhe vendime institucionale që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve dhe funksionimin e ekonomisë, duke nënvizuar se përmes punës së tij ai e ndiqte në detaje jetën ekonomike të vendit.

“Ka profesione që bëjnë jetë në dritë. Dhe ka profesione që dritën e mbajnë ndezë për të tjerët. Gazetaria i takon këtyre të fundit. Sidomos ajo gazetari që nuk matet me zhurmën e titujve, po me peshën e saktësisë. Ajo që nuk prodhon spektakël, po domethënie. E tillë ishte gazetaria ku veproi Faton Osmani. Jo në sipërfaqen e bujës, po në thellësinë e informacionit që ndihmon një shkoqni me kuptu si funksionon jeta e saj ekonomike. Ai raportonte për buxhete, për zhvillimin ekonomik, për vendime që nuk përndezin debate televizive, po që ndikojnë drejtpërdrejt në mënyrën si jeton një qytet, si rritet një biznes, si merr frymë një ekonomi. Sepse është politika ajo që bën jehonë. Ndërsa, ekonomia, ajo bën jetë. Dhe Faton Osmani ishte ndër ata që këtë jetë ekonomike e ndiqte në detaje”, tha ai.

Ai tha se para se të themelonte median e tij, Osmani kishte kaluar nëpër disa redaksi si reporter, redaktor dhe gazetar terreni, duke punuar në media vendore e ndërkombëtare, përfshirë shtypin dhe televizionin, ndërsa theksoi se më pas ndërtoi Agjencinë e Lajmeve “Ekonomia Online” jo thjesht si portal, por si infrastrukturë informacioni me fokus në zhvillimet ekonomike dhe institucionale, duke shtuar se aty krijoi një standard pune dhe një frymë profesionale që vazhdon të mbahet edhe sot.

“Para se me themelu mediumin e vet, ai kaloi nëpër redaksi të shumta, si reporter, redaktor, gazetar terreni, punoi në media vendore e ndërkombëtare, përfshi shtyp e televizion. Pra, ishte punëtor i lajmit në kuptimin e plotë të fjalës.  Dhe mandej ndërtoi diçka që mbetet: Agjencinë e Lajmeve “Ekonomia Online”. Jo thjesht si portal, por si infrastrukturë informacioni me fokus të veçantë në zhvillimet ekonomike dhe institucionale të vendit, pra në fusha, mbulimi mediatik i të cilave kërkon durim, dije dhe integritet profesional. Ai ndërtoi një redaksi. Ndërtoi një një standard pune dhe një frymë profesionale që redaksia vazhdon edhe sot me e mbajtë gjallë”.

“Ai dokumentonte investime, politika fiskale, vendime komunale e qendrore që reflektoheshin në jetën reale të njerëzve. Gazetaria ekonomike mund të duket e ftohtë së jashtmi, por në të vërtetë është ndër më njerëzoret. Sepse merret me kushtet materiale të jetës. Në këtë kuptim, nuk raportonte vetëm për shifra. Sepse fundja, pas shumë shifrave qëndrojnë pagat, investimet. Pas shumë buxheteve janë shkollat, spitalet, shërbimet publike. Pas shumë vendimeve ekonomike janë familjet që presin stabilitet”, tha ai.

Ai deklaroi se një vit pas ndarjes nga jeta në moshën 49-vjeçare, mungesa e Osmanit ndihet jo vetëm si humbje njerëzore, por edhe si boshllëk profesional në hapësirën informative, duke shtuar se trashëgimia e tij qëndron në mënyrën se si ndërtoi raportimin – të saktë, të paanshëm dhe me bindjen se standardi profesional nuk negociohet – ndërsa theksoi se përkujtimi më i drejtë për të është vazhdimësia e punës përmes çdo lajmi të verifikuar dhe çdo standardi të ruajtur në redaksi.

“Një vit pas ndarjes së Faton Osmanit nga jeta, në moshë ende tëre, 49 vjeçare, ia ndiejmë mungesën jo vetëm si humbje njerëzore, por si boshllëk profesional në hapësirën informative të vendit.  Mirëpo, gazetaria ka një ligj të pashkruar: punën nuk e ndërpret mungesa e gazetarit. Sepse lajmi vazhdon. Realiteti vazhdon. Detyrimi ndaj të vërtetës vazhdon. Dhe kjo është mbase një ndër trashëgimitë më të rëndësishme që la pas Faton Osmani. Jo vetëm çka ai raportoi, por mënyra si e ndërtoi raportimin. Saktë. Paanshëm. Me bindjen se standardi

profesional nuk negociohet.

Sot, kur ia kujtojmë jetën dhe veprën, përkujtojmë gazetarin, e për më shumë, përkujtojmë njeriun që kontribuoi në ndërtimin e dokumentimit informativ të zhvillimeve ekonomike të këtij vendi. Sepse shoqëritë që nuk dokumentohen drejt, rrezikojnë me u keqkuptu nesër. Dhe në këtë dokumentim të përditshëm, të qetë, pa zhurmë, ishte edhe dora e tij dhe mbetet gjurma e punës së tij. Prandaj përkujtimi më i drejtë për Fatonin është vazhdimësia. Çdo lajm i verifikuar. Çdo informacion i saktë. Çdo standard profesional i mbajtur në redaksi. Aty vazhdon puna e tij, aty vazhdon trashëgimia e tij.

Në emër të Kryeqytetit të Prishtinës, shpreh mirënjohjen për kontributin e Faton Osmanit në gazetarinë kosovare dhe ngushëllimet më të sinqerta familjes, kolegëve dhe gjithë komunitetit të gazetarëve. Kujtimi për të mbetet i gjallë aty ku ai e la gjurmën më të fortë, në profesionin që zgjodhi dhe në standardin që ndërtoi”, tha ai.

Faton Osmani u nda nga jeta në moshën 49 vjeçare, më 11 shkurt 2025.

La pas gruan, vajzën dhe djalin, që të tre pjesë edhe tani të Agjencisë së Lajmeve Ekonomia Online, qoftë në drejtimin e saj, qoftë në punën e përditshme, drejt zhvillimit të saj të mëtejshëm.

Faton Osmani ishte themelues, pronar dhe drejtor ekzekutiv i Agjencisë së Lajmeve Ekonomia Online. Por, mbi të gjitha ishte gazetar.

Profesionist i vërtetë me vlerat më të larta. Bëri emër të nderuar në qarqe mediatike dhe gëzonte respekt nga publiku i gjerë. Qysh në fillimet e tij në fushën e gazetarisë, me talent të pamohueshëm dhe me përkushtim maksimal, shpejt e fitoi besimin dhe ia doli mbanë të bëhej reporter i klasit të parë, duke mbuluar ngjarjet kryesore dhe zhvillimet më me peshë, në radhë të parë politike.

Vetëm pas ndonjë viti krejt natyrshëm dhe me plot meritë u avancua në redaktor. Ishte redaktor i Agjencisë së Lajmeve “Kosovalive”, redaktor i gazetës “Lajm”, redaktor i gazetës “Express”, redaktor i gazetës “Jeta në Kosovë”, ndërsa një kohë punoi edhe në televizion, në KTV.

Bashkëpunoi me një varg mediash të tjera, përfshirë edhe ato ndërkombëtare. Ishte korrespondent në Kosovë i njërës nga agjencitë më të mëdha të lajmeve në Gjermani, Deutsche Presse-Agentur (DPA). Po ashtu një kohë ishte korrespondent në Kosovë i gazetës “Shekulli” në Tiranë.

Në vitin 2010 Faton Osmani themeloi Agjencinë e Lajmeve Ekonomia Online. Ai dëshmoi aftësi udhëheqjeje, me sens për krijimin e një fryme pozitive dhe të shëndoshë për punë. Shquhej në vazhdimësi për dinjitet të lartë profesional, duke pasur të rrënjosur bindjen se në gazetari gjithçka evoluon, porse saktësia dhe paanshmëria mbeten parime të pandryshueshme.

Është vlerësim i përgjithshëm se arriti që Agjencia e Lajmeve Ekonomia Online të jetë një medium serioz i standardeve të larta profesionale, burim i sigurt informacioni dhe partner i besueshëm i dhjetëra mediumeve në Kosovë dhe jashtë saj.

Të ngjashme