Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i ka dërguar mesazhet e qarta presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e ku i quajti edhe të pabaza pretendimet e tij për aleancën ushtarake Shqipëri – Kosovë – Kroaci, duke i karakterizuar deklaratat e tij se frikë që vjen nga paaftësia e Serbisë për të pranuar realitetin.
Në intervistën e dhënë për “Turkiye Today”, Rama tha se Kosova është makthi i Vuçiqit.
Rama e hodhi poshtë idenë e Vuçiqit se Turqia ka ambicie “neo-osmane” në rajon, duke përmendur një projekt të vonuar restaurimi të një xhamie të vogël të dëmtuar nga përmbytjet në Shqipëri nga Agjencia Turke e Bashkëpunimit dhe Koordinimit (TIKA). Sipas tij, nëse Turqia do të kishte ambicie të tilla, xhamia do të ishte rikonstruktuar që tre vjet më parë.
“Çfarë neo-osmanizmi? Jam i sigurt që presidenti i Serbisë mund të shohë se Turqia ka investuar më shumë në Serbi sesa në Shqipëri dhe Kosovë së bashku”, ka thënë Rama duke iu përgjigjur një deklarate të tetorit të vitit të kaluar të Vuçiqit, i cili akuzoi Turqinë se “ëndërron Perandorinë Osmane” pas shitjes së dronëve Skydagger te Kosova. Më vonë, ai akuzoi gjithashtu Turqinë dhe Shtetet e Bashkuara se armatosin Kosovën, duke e portretizuar atë si “një kërcënim të drejtpërdrejtë për Serbinë dhe integritetin e saj territorial”.
Rama ironizoi me Vuciqin duke thënë se pavarësisht se ka njohuri të mëdha, por që ka makthin, e që është Kosova.
“Presidenti Vuçiq është dikush me të vërtetë me njohuri të mëdha, intuitë të shkëlqyer, që mezi pret shumë gjëra, por ka makthin e tij: është Kosova. Kaq është. Pikë. Kur makthi i pushton emocionet, ai arrin gjithashtu të thotë gjëra që sinqerisht nuk kanë kuptim”, ka deklaruar Rama.
Megjithatë, Rama nënvizoi se edhe pse ka mosmarrëveshje me Beogradin, Vuçiqi mbetet një lider “me të cilin mund të bisedohet dhe të ndërtohet bashkëpunim mbi objektiva të përbashkëta”.
Kryeministri shqiptar theksoi gjithashtu mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për Kosovën.
“Kosova është e pavarur; është republikë. Ky proces është i pakthyeshëm. Nëse Kosova preket, preket edhe Shqipëria. Nëse Kosova është nën një kërcënim ekzistencial, Shqipëria është nën një kërcënim ekzistencial”, deklaroi Rama.