Zv. ministri i Ministrisë së Mbrojtjes, Burim Ramadani, ka marrë pjesë në panelin e organizuar s nga R.I.T Kosova (Universiteti Amerikan në Kosovë – AUK) në 20-vjetorin e intervenimit të NATO-s në Kosovë, raporton Ekonomia Online.
Ai ka thënë se intervenimi i NATO-s në vitin 1999 ka shënuar jo vetëm lirinë e Kosovës dhe ndaljen e gjenocidit të Serbisë, por ka shënuar kthesën për tërë rajonin e Ballkanit.
Sipas tij në mungesë të intervenimit të NATO-s, rajoni ballkanik do të ishte krejtësisht ndryshe nga ajo që kemi sot.
Postimi i plotë i Ramadanit:
Intervenimi i NATO-s shënoi kthesën për tërë Ballkanin
Intervenimi i NATO-s në vitin 1999 ka shënuar jo vetëm lirinë e Kosovës dhe ndaljen e gjenocidit të Serbisë, por ka shënuar kthesën për tërë rajonin e Ballkanit. “Përgjegjësia për të Mbrojtur” si vlerë është vendosur po ashtu në marrëdhëniet ndërkombëtare nga Aleanca Veri-Atlantike.
Sikurse ka thënë ish-kryeministri britanik, Tony Blair, intervenimi i NATO-s ishte “beteja midis të mirës dhe të ligës, midis civilizimit dhe barbarisë, midis demokracisë dhe diktakturës”.
Në mungesë të intervenimit të NATO-s, rajoni ballkanik do të ishte krejtësisht ndryshe nga ajo që kemi sot. Hegjemonia do të triumfonte ndaj demokracisë. Zgjerimi i NATO-s (demokracisë) nuk do të ndodhte. Qasja e demokracive në Ballkan do të ishte krejtësisht e limituar. Rusia do të kishte rolin kryesor këndejpari. Ballkani do të ishte rajoni i refugjatëve. Kriza do të ishte fjala e përbashkët për rajonin. Ndërsa, BE-ja do të ishte krejtësisht jorelevante për rajonin.
Për shkak të intervenimit të NATO-s dhe fitores së demokracisë, rajoni ballkanik ka kaluar në reformat të mëdha përgjithësisht në pothuajse secilin shtet. Ka filluar konsolidimi i demokracisë. NATO-ja është gati të bëhet 30 anëtarëshe, ndërsa ne besojmë se Kosova do të jetë shteti i 31-të I Aleancës. Prezenca e NATO-s dhe BE-së është vlerë. Megjithatë, Rusia, edhe përkundër krejt këtyre, po tenton të gjejë mënyrat për të influencuar Ballkanin, madje në raste të caktuara edhe përmes operacioneve të dhunshme, sikurse ai në Malin e Zi në vitin 2016.
Kënaqësi që të marrë pjesë në Panelin e organizuar sot nga R.I.T Kosova (Universiteti Amerikan në Kosovë – AUK) në 20 vjetorin e intervenimit të NATO-s në Kosovë.