Kosova, pas Maqedonisë, do të jetë vendi i radhës që do të bëhet pjesë e aleancës më të madhe ushtarake, NATO, ka shprehur bindjen Burim Ramadani. Dialogu Politik për Anëtarësim, sipas tij, do të mundësohet brenda pak kohësh.
Ramadani është zëvendësministër i Forcës së Sigurisë. Më përpara ka qenë gazetar, është ndër themeluesit e “Security Policy Research Center” dhe është ligjërues i Sistemit të Sigurisë Kombëtare.
Në një intervistë dhënë “Kohës Ditore”, ai ka folur për procesin e avancimit të misionit dhe mandatit të Forcës së Sigurisë (FSK), të cilit i është dhënë start nëpërmjet disa ndryshimeve ligjore që muajin e kaluar Qeveria i ka përcjellë për votim në Kuvend. Nëpërmjet tyre, synohet që FSK-ja të bëhet me mandat ushtrie. Por jo me automatizëm.
Ramadani ka përmendur një periudhë transicioni prej dhjetë vjetësh, të cilën do ta karakterizojnë tri faza të zhvillimit të FSK-së.
Tek ka elaboruar planin afatgjatë të zhvillimit të FSK-së, në këtë intervistë, ai ka folur për riorganizimin, doktrinën, trajnimet, edukimin, zhvillimin e kapaciteteve njerëzore dhe pajisjeve, ndërveprueshmërinë me NATO-n, si dhe për konsiderimet buxhetore. Ramadani ka folur edhe për sfidat që mund ta shoqërojnë transicionin dhe ka treguar nëse veriu do të ketë batalion ushtarak të vetin.