Zëvendësministri i Ministrisë së Forcave të Sigurisë së Kosovës, Burim Ramadani përmes një postimi në Facebook i është shprehur mirënjohës për vendimin e marrë nga Qeveria e Kosovës që Ramadani të angazhohet në detyrën e Koordinatorit Nacional për Integrim dhe Anëtarësim në NATO.
“Kosova është aleat i besueshëm i NATO-s. Anëtarësimi në NATO është qëllim shtetëror dhe ka përkrahje unanime popullore. Kosova është e përkushtuar për paqe, siguri, stabilitet dhe bashkëpunim me të gjithë. Si një vend e popull që ka vuajtur tragjeditë e luftës, ne jemi të bindur se paqja e përhershme arrihet me anëtarësimin e shteteve të rajonit në NATO”, ka shkruar Ramadani.
“Gjatë këtyre 20 vjetëve, kemi bashkëpunim dhe koordinim të plotë me misionin e KFOR-it, të udhëhequr nga NATO-ja, në Kosovë. Po ashtu, kemi bashkëpunim në baza ditore me NALT-in, që na ndihmon në zhvillimin e standardeve demokratike”, ka shkruar ai.
Ramadani ka shkruar se Kosova është tregim i përbashkët suksesi me NATO-n.
“Kosova dëshmon tregim të suksesit të përbashkët me NATO-n. Institucionet e sigurisë në Kosovë, në rend të parë Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), ka kapacitete të specializuara që mund të ndihmojnë paqen dhe sigurinë kudo në botë krah për krah me ushtarët e vendeve të NATO-s. Kosova ka marrë mbështetje për paqe që 20 vjet. Tregimi i Kosovës është i shkëlqyeshëm: Një vend i vogël – që është ndihmuar të jetojë në paqe – pas 20 vjetësh është plotësisht i gatshëm që krah për krah me NATO-n të ndihmojë edhe popujt tjerë të gëzojnë paqen, sigurinë dhe stabilitetin”, ka shkruar ai.
“Përkshtimi i Kryeministrit Haradinaj dhe Qeverisë së Kosovës për anëtarësim në NATO është reflektim i përkushtimit të popullit të Kosovës.
Sot, në vazhdën e angazhimeve institucionale, Qeveria e Kosovës ka vendosur që të angazhohem në detyrën e Koordinatorit Nacional për Integrim dhe Anëtarësim në NATO. Shpreh mirënjohjen e plotë për besimin dhe mbështetjen e vazhdueshme nga Kryeministri Ramush Haradinaj, Ministri Rrustem Berisha, Qeveria e Kosovës, institucionet tjera dhe partnerët ndërkombëtarë”, ka shkruar më tej Ramadani.