Zëvendësministri në detyrë në Ministrinë e Mbrojtjes, Burim Ramadani ka thënë se lidhja me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është shpirtërore.
Këto komente Ramandani i bëri pas takimit që ka zhvilluar me komandantin e Gardës Kombëtare të Ajovës (Iowa), Gjeneral Major Benjamin Corell.
Ramadani në një shkrim të bërë në Facebook ka shkruar se thellimi i partneritetit strategjik me SHBA-në, vazhdon dhe se Kosova, institucionet dhe populli i saj do të jenë përherë mirënjohës për ndihmën dhe kontributin e pakursyer të SHBA-së.
“Ne jemi partner të besueshëm të Qeverisë dhe popullit amerikan. Të tillë do të jemi përherë, gjeneratë pas gjenerate. Lidhja jonë me SHBA-në është lidhje shpirtërore. E tillë do të jetë përjetë.
Ishte nder dhe kënaqësi e veçantë të pres sot në Ministri të Mbrojtjes Komandantin e Gardës Kombëtare të Ajovës (Iowa), GjeneralMajor Benjamin Corell.
Pas një pune të jashtëzakonshme që Ministria dhe FSK-ja ka bërë për vite të tëra me GjeneralMajor Timothy Orr, tashmë kemi kënaqësinë që të thellojmë partneritetin me Gjeneralin Corell”, ka shkruar ai, transmeton Telegrafi
Ramadani ka bërë të ditur se Gjeneralin Corell e ka njoftuar për arritjet e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të FSK-së, sikurse edhe për qëllimet strategjike të Republikës së Kosovës në fushën e sigurisë, mbrojtjes dhe të politikës së jashtme.