Ramadani me COVID-19, klubi danez thotë se u infektua në Shqipëri

Prishtinë | 12 Sht 2020 | 16:45 | Nga Ekonomia Online

Futbollisti shqiptar, Ylber Ramadani, do t’i mungojë skuadrës daneze Vejle në ndeshjen hapëse në Superligë pasi është konfirmuar me COVID-19. Klubi ka thënë se lojtari është infektuar në Shqipëri ku kishte udhëtuar për ndeshjet me kombëtaren më herët gjatë shtatorit.

Madje sipas klubit, ai ka qëndruar një javë i izoluar në Shqipëri, edhe pse Federata Shqiptare e Futbollit kishte mohuar se ka futbollistë me COVID-19 në kampin e saj për ndeshjet me Bjellorusinë dhe Lituaninë në Ligën e Kombeve.

24-vjeçari, që sipas klubit ka qenë pa simptoma, është kthyer në ushtrime, por i duhet të ndjekë një program tjetër para se të jetë në dispozicion për ndeshjet.

Ramadani iu bashkua Vejles më 2017. Sezonin e shkuar ai ishte lojtar kyç i klubit për të kaluar në Superligën daneze.

Si qendërmesfushor, ai ka kontribuar me tri gola e dy asistime.

Vejle nis sezonin e ri të hënën kundër AGF-së.

Të ngjashme