Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani ka deklaruar se Kosova e ka nën kontroll Covid 19, por panikun dhe mungesën e kulturës qytetare për respektim të masave, fatkeqësisht nuk e ka.
Ai ka bërë thirrje edhe njëherë tek qytetarët të respektojnë distancën prej 2 metrash, qoftë edhe në shtëpi, qoftë kudo, përndryshe situata mund të dalë jashtë kontrollit.
“Virusin Covid 19 e kemi në kontroll dhe po ju them se po. Ajo çfarë nuk e kemi në kontroll si Kosovë, është paniku dhe mosrespektimi i masave sociale. Mbajtja e distancës, prej 2 metrash, higjiena personale sa më e shpeshtë dhe ajrosja janë shpëtim për të kaluar sa më lehtë”, tha Ramadani transmeton Radio 1.
Ai ka thënë po ashtu që do të bëhet një zgjidhje edhe për oraret e lëvizjeve të lira në qytet.
“Meqë nuk po ka vetëdije ende nga qytetarët, meqë me të përfunduar kufizimet kohore, pas orës 16:00 po krijohen tollovi të mëdha, dhe janë bombë e kurdisur për shpërthim virusi, unë që tani do e paraqes shqetësimin duke kërkuar zgjidhje profesionale të përbashkët me kompetentët. Por prapë në çdo situatë, ne po na mungon vetëdija e distancës dhe masave sociale. Është gabim që policia ndalon automjete në lëvizje, total gabim. Policia të ndaloj radhët e njerëzve para bukëpjekësve dhe marketeve. Aty të mbahet distanca”, shtoi Ramdani.
I pyetur rreth masave që aplikon Belgjika, e cila rekomandon që lëvizjet në ajër dhe në diell të aplikohen nga qytetarët e saj, por vetëm mos të ketë grumbull njerëzish, as në rrugë e as në parqe, Ramadani, u përgjigj duke qeshur.
“Po qeshem sepse pikërisht këto, janë ato propozime dhe rekomandime që i pata dhënë para dy javësh e për çfarë u keqinterpretova nga mediat dhe qytetarët. E rithekson pra, më shumë bëjmë dëm në shtëpi kur mblidhemi nga 15 – 20 persona se sa kur lëvizim nga 2 persona në diell, në mbajtje të distancës. Kjo që u paska thënë dje, si rekomandim i aplikuar në Belgjikë, nga unë ishte keqkuptuar”, tha Ramadani.