KFOR-i sot konfirmoi se Qeveria e Kosovës ka dërguar “rizotim me shkrim, kohëve të fundit” që Forca e Sigurisë së Kosovës nuk vendoset në veri të vendit pa autorizimin paraprak të Misionit Paqembajtës të NATO-s në vend, KFOR-it – përkatësisht nga komandanti i forcës.
Kështu u tha në një përgjigje të këtij misioni për Nacionalen.
“Ne e mirëpresim respektimin e vazhdueshëm të Kosovës dhe rizotimin me shkrim të kohëve të fundit, që pasqyron dialogun e rregullt të KFOR-it me përfaqësues të organizatave të sigurisë në Kosovës, përfshirë edhe zotin Maqedonci. Komunikimi transparent dhe koordinimi me kohë është çelës për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin rajonal”.
Analisti Burim Ramadani ka thënë se e vërteta për këtë letër është edhe më e dhimbshme
Sipas tij, rizotimi i Qeverisë ka ndodhur pas një rasti kur sipas tij, Qeveria ka dërguar pjesëtarë të FSK-së në veri, pa njoftim për KFOR-in.
Ai tutje thotë se rizotimi është bërë me kërkesë të NATO-s dhe ne letër Qeveria kërkon falje për veprimin e bërë.
“Rikonfirmimi, rizotimi i kësaj Qeverie ka ndodhë me kërkesë të NATO-s, pra NATO i ka thënë Qeverisë rizotohna edhe njëherë, se në fakt brenda letrës ka edhe kërkim-falje prej Qeverisë së Kosovës sepse ka pasur një rast ceremonial, në të cilën ministria e ka dërgu një ekip të pjesëtarëve të FSK-së pa njoftim për KFOR-in. Pastaj ka pasë edhe kërkim-falje edhe rizotim për letrën e 2013”.
“Pas këtij rasti është bë rizotimi me kërkesë të NATO-s sepse ka pasë në disa momente thyerje tepër të çuditshme me NATO-n. Rizotimi është që prapë mbetet në koordinim me lejen e komandantit të KFOR-it”, ka thënë Ramadani në T7.
Ai tutje thotë se qytetarët duhet ta dinë se komandanti i KFOR-it e ka të njëjtin autoritet si në veri, ashtu edhe në zonat tjera. Ish-kryeinspektori i AKI-së shton se policia para çdo operacioni në veri e njofton KFOR-in.
“Komandanti i KFOR-it është komandanti i krejt zonës në Kosovë dhe për KFOR-in është një zonë. Komandanti i KFOR-it ligjërisht e ka të njëjtin autoritet si në veri apo jug. Edhe policia kur ka operacione në zonat e komuniteteve e ka për obligim me njoftu KFOR-in dhe e bën këtë, 24 apo 48 orë përpara. Kjo për mu ka qenë një qasje shumë abuzuese me sektorë të sigurisë”, ka deklaruar ai.