Dy golat e shënuar në ndeshjen e mbrëmshme kundër italianëve të Napolit, për Sergio Ramosin ishin mënyra më e mirë e mundshme për të kremtuar ndeshjen e 100-të në Ligën e Kampionëve.
Lojtari i Realit të Madridit dhe përfaqësueses së Spanjës në futboll, Sergio Ramos ishte lojtari më i mirë i Realit në fitoren e mbrëmshme kundër Napolit që përfundoi me shifrat 3:1, e vlefshme për të tetën e finales së garës më të fortë të klubeve në kontinentin e vjetër.
”Ndeshjen e njëqindtë në Ligën e Kampionëve dëshiroja ta kremtoj me gol. Vuajtëm në ndeshjen e kthimit. Megjithatë, gjetëm formulën e fitores dhe arritëm sukses. Ndonjëherë gjërat nuk shkojnë ashtu siç dëshironi por jam i lumtur sepse gabimet nuk ndikuan në rezultatin përfundimtar”, deklaroi Ramos.
Lidhur me ndeshjen e sontme në ”Camp Nou”, në të cilën Barcelona ka një disavantazh të madh ndaj PSG-së nga ndeshja e parë në Paris (0:4), Ramos tha: ”Do të jem më i lumtur nëse Barcelona pëson disfatë. Do të kem gjumë të lehtë nëse ndodhë kjo”, tha ai.
Përveç duelit Barcelona – PSG (0:4), sonte në ora 20:45 takohen edhe Borussia Dortmund – Benfica (0:1).