Ramosaj për presionin e QUINT-it rreth Manastirit të Deçanit: T’u përgjigjet Albin Kurti

Deçan | 20 Maj 2022 | 12:41 | Nga Ekonomia Online

Përfaqësuesit e shteteve të QUINT-it sërish kanë shtruar kërkesë që vendimi i Gjykatës Kushtetuese për tokat e Manastirit të Deçanit të zbatohet sa më shpejt nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Këtë presion po e sheh si të padrejtë kryetari Bashkim Ramosaj.

Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj ka deklaruar se kërkesës së Amerikës, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës dhe Italisë duhet t’i përgjigjet Albin Kurti.

Për këtë Qeveria (Albin Kurti) të japë përgjigje. Për qytetarët e Deçanit dhe për mu personalisht është vendim i padrejtë. Është çështje e Qeverisë’’, ka thënë ai për Periskopin.

‘’Është presion për çka e kanë marrë obligim. Përderisa e kanë atë obligim, e bëjnë edhe këtë presion’’, ka deklaruar ai për “Periskopi”-in.

‘’Zbatimi i ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë obligime të të gjitha qeverive të zgjedhura në mënyrë demokratike. Po ashtu, ato janë parakushte për konsolidimin demokratik të Kosovës dhe integrimin e saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike.’’, thuhet në deklaratën e QUINT  sot.

Kryeministri Albin Kurti, që aktualisht gjendet në Amerikë kishte thënë se për çështjen e Manastirit të Deçanit duhet dialog.

“Kemi nevojë për dialog, në mënyrë që të trajtojmë këtë brengë të tyre dhe nuk duam t’i dominojmë ose t’i cenojmë, por besoj që duhet të hasim në mirëkuptimin e tyre që vendimet e regjimit të Millosheviqit nuk mund të jetojnë në këtë shekullin tonë”, thoshte ai.

Të ngjashme