Kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka thënë se rastet e para të këtij helmimi ndodhën në 10-ditëshin e parë të muajit qershor, raporton Ekonomia Online.
Ai thotë se gjithë ngjarja ndodhi në fshatin Krushevc të Pejës, por që shfytëzon burimin e Hidrodrinit për ujë të pijes.
Megjithatë, ai tha se edhe më tutje nuk mund të ketë definime të sakta dhe se konfirmoi që presin që t’i shkojnë deri në fund kësaj çështjeje.
“Qytetarët kanë të drejtë të dinë pse ka ndodhur kjo. Ne kemi pas në 10ditëshin e parë të muajit qershor me banorët e fshatit Krushevc të Pejës që furnizohet me ujë që është nën menaxhimin e “Hidrodrinit”. Ky rast ka qenë i izoluar sepse pas kësaj analize nuk pat më shqetësime dhe ndodhi që në muajin korrik të përsëritet e njtjeta por në përmasa më të mëdha, kjo na bënë që këto analiza të jenë më të thella dhe të dihet se a është për ujë. Ne asnjë herë nuk kemi vendos në shënjestër dikë. Qoftë edhe teoritë konsiprative që janë ngrit të shkohet deri në fund, sepse meritojmë të jetojmë të qetë në këtë shtet”, tha Ramosaj, duke treguar se mbrëmë ka arritur ndihmat me ilaqe të nevojshme për trajtimin e pacientëve nga Ministria e Shëndetësisë.
Tutje Ramosaj tha se numri i personave të helmuar ka kaluar mbi 1500, derisa shtoi se disa prej tyre po i përseritet situata për herë të dytë.
“Deri më tash ajo që është e ditur se numri i pacientëve e ka kaluar shifrën mbi 1500 dhe kur i referohem kësaj shifre prej tyre ka një pjesë që janë që po kthehen për herën e dytë dhe të tretë dhe që është një fluks mjaft i madh. Dje kemi marr rezultatet e analizave dhe në bazë të tyre rezulton që uji i pijes është i pastër mirëpo që duhet ende të bëhen analiza shtesë se nga çfarë ka ardhur ky lloj helmimi, unë edhe dje kam deklaruar se jemi të përkushtuar se kjo temë me u trajtua deri në fund, për të vetmen arsye se qytetarët e këtij shteti e kanë të drejtë me dit arsyen se përse ka ndodhur. Deri më tani mund të flasim për shifra edhe për rajonin e Pejës që janë mbi 80 raste, mirëpo kemi Klinikat private që kanë trajtuar pacientë të tillë, dhe dje kemi pasur edhe vëmendjen e institucioneve të shtetit, kemi në dispozicion edhe resurset ushtarake”.
Ndërsa drejtori QKMF-së në Deçan, Selmon Berisha tha se rreth 1182 persona janë trajtuar në Qendrën e Mjekësisë Familjare.
“Me datën 10 janë trajtuar 288 pacientë, me datën 12 janë trajtuar 324 pacientë, me datën 13 janë trajtuar 310 pacientë ndërsa sot deri në orën 15:00 janë 120 ndërsa totali që janë trajtu në QKMF 1182 deri më sot”.