Ramush Haradinaj do të takohet me Albin Kurtin javën tjetër, PDK e LDK ende në heshtje

Prishtinë | 20 Maj 2021 | 19:40 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot u ka dërguar ftesë për takime tre liderëve të subjekteve opozitare në Kuvend, Enver Hoxhaj (PDK), Lumir Abdixhiku (LDK), dhe Ramush Haradinaj (AAK).

Takimet planifikohet të mbahen gjatë fillimit të javës së ardhshme, sipas orareve të përshtatshme për të gjitha palët, dhe do të jenë në shërbim të mirinformimit dhe bashkërendimit të spektrit politik për çështje me interes të Republikës së Kosovës.

Lidhur me këtë, zëdhënësi për media nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Lulëzim Blakaj në një përgjigje për Gazetën Reporteri.net”, tha se kreu i kësaj partie, Ramush Haradinaj, do të marrë pjesë në këtë takim.

“Kryetari Haradinaj, do të takohet me Kryeministrin Kurti, në fillim të javës tjetër në orar të dakorduar bashkërisht”, tha Blakaj.

Tutje, ende nuk është kthyer asnjë përgjigje zyrtare nga partitë politike në adresë të së cilave është dërguar ftesa për takim nga Qeveria Kurti 2.

Po ashtu, në këtë takim, nuk do të flitet vetëm për dialogun Kosovë-Serbi por edhe për çështje tjera.

Ndryshe, siç njoftoi Qeveria, kryeministri Kurti ka deklaruar vazhdimisht se për çështjet me interes nacional do të konsultohet dhe do të kërkojë bashkëpunim të mirëfilltë me partitë dhe liderët opozitarë.​

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme