Përtej aureolës së komandantit trim të UÇK, që ende mban të varrosur në pragun e shtëpisë në Gllogjan dëshmorët që familja e tij i dha Kosovës, qëndron i akuzuari, që nuk e kanë shpënë fare kot dy herë në Hagë, nga ku doli i padënuar pasi dëshmitarët ishin zhdukur.
Ramush Haradinaj nuk është as një idealist naiv. Përtej dashurisë patetike për Kosovën, qëndron kryeministri që mori vendim ti rrisë pagën vetes, se i duheshin më shumë kravata, qëndron rekordmeni i prodhimit të zëvendësministrave që e përdorur shtetin si kamaradare për ekuilibrat e pushtetit, qëndron lideri që i mbushi bordet publike me militantë dhe familjarë.
Ramush Haradinaj aq më pak është një politikan parimor. Ai që, sëbashku me Vetëvendosjen, i vuri flakën parlamentit dhe i mbyti kolegët e tij me gaz lotësjellës, për të mos i falur tokë Malit të Zi, kur erdhi puna për t’u bërë kryeministër, i tradhëtoi sa hap e mbyll sytë aleatët e dikurshëm, madje i haroi edhe ato 8 mijë hektarë për të cilat ishte betuar se do të derdhej gjak.
Pra, në këtë kuptim, ashtu si të gjithë heronjtë që kanë imponuar emrin dhe famën e tyre përmes grykës së pushkës, ai është i adhuruar pa kushte nga disa, po aq sa është i urryer nga të tjerë.
Por, ky personalitet i dyzuar, prej njeriu që ngjall po aq frikë sa edhe respekt, që i shërbën atdheut po aq sa edhe botës së nëndheshme të Rrafshit të Dukagjinit, që ndan, po aq sa edhe përbashkon, nuk u pasqyrua me të gjithë dritë hijet e tij në momentin që u thirr sërish nga gjykata speciale, duke e detyruar të heqë dorë nga kryesimi i qeverisë.
Çuditërisht, rreth Ramush Haredinajt u krijua një empathi mbarë kombëtare e cila nuk kishte të bënte, as thjeshtë me lotët e derdhur live teksa lajmëronte dorëheqjen dhe as vetëm me faktin se qe ai që duhej të përgjigjej për të tretën herë përpara Hagës, ndërkohë që të singjashmit e vet vazhdojnë të shijojnë kolltuqet e pushtetit.
Jo, përreth kryeministrit në ikje u krijua një emocion më i madh që e tejkalon historinë e tij në të shkuaën dhe qeverisjen e tij të përditshme.
Kjo ndjenjë solidariteti që shpërtheu në të dy anët e kombit është e lidhur me qëndrimet e fundit të Ramushit, me mbrojtjen që ai i bëri takësës 100% ndaj produkteve serbe, dhe me vendosmrinë që tregoi kundër copëtimit të Kosovës.
Në sytë e shumëkujt, Haradinaj krijoi profilin e politikanit që i flet njësoj si shqiptarëve, po ashtu dhe Makronit apo Uashingtonit, ndryshe nga Edi Rama apo Hashim Thaçi që e kanë shndërruar politikën në teatër.
Ai skaliti aureolën e liderit që di ti mbrojë bindjet e veta edhe përpara një presioni asgjesues ndërkombëtar, gjë që deri më tani rrallë ndonjë politikan shqiptar ka guxuar ta bëjë.
Ai ndërtoi imazhin e njeriut që nuk bën pazar as me ndarjen e kufijve, as me shkëmbimin e popullsive, për ti shpëtuar Gjykimit të Hagës, apo për të krijuar profilin e një lideri global, që të lë më gjatë në pushtet.
Nëse ideja e rrezikshme e copëtimit të Kosovës u varros, apo u shty larg në kohë, pa dyshim që një kontribut jo të vogël ka dhe taksa e vendosur personalisht nga Ramushi dhe qëndrimi i tij i palëkundur kundër projektit të iniciuar në Beograd.
Këto dy kolona, identifikuese për qeverisjen e tij të dytë, kanë krijuar përshtypjen se Ramush Haradinaj po viktimizohet për qëndrimet që ka mbajtur, më shumë sesa për të shkuarën e tij në luftë. Kjo ide, e mëkuar edhe nga teoritë konspirative që gëlojnë në këto raste, e që e shohin Hagën si një zgjatim të manovrave meskine të politikanëve, kanë përforcuar edhe më pranojën e një puçi mes ndërkombëtarëve dhe liderëve shqiptarë që mendojnë vetëm për menderen e tyre.
Në këtë kontekst, shumëkush po e sheh thikën pas shpine për Haradinajn, si atentat ndaj përpjekjes për vendime sovrane të një udhëheqësi shqiptar, si shenjë të bashkëpunimit okult mes politikanëve tanë të inkriminuar dhe një kaste të pamoralshme diplomatësh, që mbështet të parët në dëm të pjesës më të madhe të shqiptarëve, shkurt si arbitraritet të një elite që kërkon të reduktojë hapsirat demokratike.
Piikërisht për këto arsye, në ditët e fundit, që pas thirrjes nga Gjykata Speciale, ka shpërthyer një valë empathie për Haradinajn, një solidaritet shumë më i gjërë sesa ai i rrethit të simpatizantëve të tij, që në kushte të ndryshme, Ramushi, as nuk do të kishte patur mundësi t’a ëndërronte kurrë.