Zbatuesit e ligjit në Francë, nuk mund të injoronin vendimin e një gjykate për të cilën taksapaguesit francezë paguajnë, aq më tepër në favor të një gjykate serbe. Për të njëjtën akuzë, Gjykata e Hagës për të cilën paguan edhe Franca, e la të lirë Ramush Haradinajn. Pothuajse në të njëjtën periudhë që Beogradi lëshonte flet-arrestin ndërkombëtar.
Nuk ka vend për normalitet në aktin e zbatuesve të ligjit në Francë. Fotot e Ramushit duke ndjekur kampionatin Evropian, event që supozohej të kishte siguri maksimale, qesëndisin këtë akt. Franca e Rambujesë, Franca që i dha Kosovës administratorin e parë, Bernard Koushner, Franca që e ndihmoi Ramushin në pranverën e vitit 1999, me avionë që sulmonin forcat serbe nga ajri, i ka habitur të gjithë. Por një vend i madh, një fuqi e madhe botërore, mund të përfshihet me lehtësi në gafa të tilla, që kanë të bëjnë më botën konfliktuale nga vjen Haradinaj. Të përfshihet në një mënyrë që ta ketë të vështirë të dalë. Prandaj përpara se të trokasim në dyer e rënda të Parisit duhet të kishim trokitur në dyert e shqyera të njëri- tjetrit. Jo për qokë, jo për të gënjyer të mëdhenjtë, por për të zgjidhur probleme ose për të diskretituar përfundimisht ata që nuk duan t’i zgjidhin.
Rasti i flet-arresteve të vjetra të Serbisë u diskutua publikisht në forumin ekonomik të Nishit mes Ramës dhe Vuçiç. Shkak u bë arrestimi i Nehat Thaçit, shefit të policisë së Mitrovicës, me një akuzën e krimeve te luftës në vitin 99’. Kryeministri shqiptar e preku fare tërthorazi ngjarjen, si për të mos prishur atmosferën miqësore të takimit, por Vuçiç u ndal gjatë dhe sqaroi se kjo është një çështje që duhet të zgjidhet nga të dyja palët, në bisedimet dypalëshe që zhvillohen rregullisht.
Pas kësaj asnjë reagim. Bashkëshortja e Ramushit, me të drejtë akuzoi Edita Tahirin, që duket se po dështon hap pas hapi në të gjitha çështjet që negocion me Serbinë. Madje edhe me ato që nuk arrin të diskutojë, siç është çështja e fletarresteve. Por të fajësosh vetëm palën kosovare, është si të akuzosh të zotin e lopës, që i vodhën lopën dhe të harrosh hajdutin. Këto flet-arreste absurde, që i përkasin regjimit të Milosheviçit, vetëm për një arsye mund të ishin ende në fuqi. Kryeministri i Serbisë është një nga ata, një nga njerëzit e atij regjimi. Ministër i Informacionit në kohën e luftës, ai nuk u nda kurrë nga nacionalistët, që duket se u tretën pas disfatave të mëdha. Mbetën në opozitë me kuota shqetësuese e më pak kërcënuese, derisa u rikthyen në pushtet.
Kjo do të ishte çështje e Serbisë nëse nuk do të kishte pasoja për rajonin.
I vetmi ndryshim nga Millosheviçi është se nuk përdorin ushtrinë, por raportet e Serbisë me fqinjët mbeten armiqësore. Ndërsa të gjitha shtetet ish-jugosllave tashmë kanë normalizuar marrëdhëniet, Serbia i ka acaruar sërish me të gjithë. Madje, të mos ishte për Shqipërinë, pozicioni i Serbisë në Ballkan do të ishte i vetmuar. Por kryeministri i Shqipërisë, sapi erdhi në pushtet, shpalli prioritetin e marrëdhënieve me Serbinë, si për të prishur vetminë e pasuesve të Millosheviçit.
Në nëntor të vitit 1997, në Kretë, në një tentativë të dëshpëruar për të zgjidhur konfliktet në Ballkan, kryeministri i atëhershëm, Fatos Nano takoi Millosheviçin. Do të kalonte më shumë pak zhurmë ky takim me atë që quhej Kasapi i Ballkanit, nëse Nano nuk do të deklaronte pas tij: Millosheviçi që bëri Luftën, mund të bëjë edhe paqen. Një deklaratë që tronditi jo vetëm Bosnjën dhe Kroacinë, por mbi të gjitha Kosovën, shqiptarët që jetonin nën atë që kishte mbetur nga Jugosllavia, dhe pastaj gjithë politikanët e diplomatët perëndimorë. Njeriu që vrau qindra mijë njerëz, ai që e kishte luftën dhe racizmin si brandin e tij politik, mund të bënte paqen. Sigurisht që Nano do ta shihte veten të përgënjeshtruar vetëm 2 vjet më pas, tek bashkatdhetarët e tij.
Historia nuk ka patur sukses të mësojë liderët shqiptarë.
Me të njëjtin naivitet, Edi Rama, u nis të vërtetonte se Serbia e drejtuar nga pasardhësit e Millosheviçit, pra ata që bënë luftën mund të bëjnë edhe paqen. U nis më besimin e liderit rajonal të krijonte një barazim, jo vetëm jorealist, por edhe joshqiptar. E barazoi marrëdhënien Shqipëri – Serbi me marrëdhënien mes shqiptarëve dhe serbëve, ndërsa takimet e tij me Vuçiçin si pajtim mes dy kombeve kryesore të Ballkanit të pa integruar ose perëndimor. Një goditje e rëndë kjo për gjysmën e kombit shqiptar, që u harrua në vrap e sipër për t’u shndërruar në liderin e rajonit që më pas të bekohej nga Vuçiç si lider botëror.
Përtej humorit serb, veprimet pa përmbajtje apo më keq përdorimi si truk për të rregulluar imazhin e qeverisë Serbë, janë dëmtuese për shqiptarët. Ky kryeministër që përpiqet t’u mbushë mendjen shqiptarëve se Basha është i djegur, i korruptuar se ka qenë ministër i Berishës dhe i bën reklamë ndërkombëtare ministrit të Millosheviçit, nuk mund të jetë pa faj për këtë situatë. Një shqiptar që është aty kur arrestohet padrejtësisht polici shqiptar dhe e kalon këtë me një batutë, në vend të kërkojë dhe të bërtasë për zgjidhjen urgjente të këtij problemi, prap nuk mund të thuhet se ka shkuar në Beograd e në Nish për të zgjidhur problemet shqiptare.
Ramushi i rrëzoi të gjitha alibitë që Tirana i dhuroi Vuçiçit. I gjithë procesi i pajtimit që u fut në kuadrin e procesit të Berlinit, për të kapur lidershipin me bashkëkryetar, siç i pëlqen Ramës, u thërrmua. Këtë herë Franca ndihmoi në diskreti-timin e mesazhit të gabuar, ata që bënë luftën, nuk mund të bëjnë edhe paqen, pajtimi nuk është fasadë, politika e jashtme nuk është show.
Arrestimi erdhi si një kovë me akull në këtë dimër të ftohtë, për të na bërë të shohim përtej fjalëve, dështimet reale të Kosovës dhe Shqipërisë.