Menaxheri i Nantes, Claudio Ranieri, ka pranuar se do të largohej nga liga franceze nëse i ofrohet posti i trajnerit të Italisë.
66-vjeçari që i priu Leicester Cityt drejt titullit të Premier Ligës në sezonin 2015-16, mori drejtimin e klubit francez gjatë verës së kaluar dhe ka mahnitur me rezultatet në ligë.
Italia është në kërkim të një trajneri të ri pas largimit të Gian Piero Venturas gjatë muajit nëntor pasi dështuan të kualifikoheshin për Kupën e Botës.
“Çdo trajner italian do të donte të ishte në krye të përfaqësueses”, ka thënë Ranieri për Sky Sports Italia.
“Kam kontratë me Nantes edhe për dy vjet dhe nuk kam marrë ndonjë mesazh, prandaj nuk mund të them asgjë. Por nëse më kontaktojnë për punën me Italinë, do të shkoja te presidenti i Nantes dhe të kërkoja largimin”, ka thënë veç të tjerash trajneri italian.