Fyerjet dhe sulmet e vazhdueshme ndaj mediave dhe gazetarëve në Kosovë tashmë janë shndërruar në trend. Kjo gjuhë fyese ndaj gazetarëve është përmendur si shqetësuese edhe në Raportin për të Drejtat e Njeriut për vitin 2021 nga Departamenti i Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Zyra për Demokraci, të Drejta të Njeriut dhe Punë.
Sipas këtij raporti, disa zyrtarë publikë, politikanë, biznese dhe grupe radikale fetare përpiqeshin t’i kërcënonin përfaqësuesit e mediave.
“Kushtetuta dhe ligji parashikojnë lirinë e shprehjes, përfshirë lirinë e shtypit dhe të mediave të tjera. Ndonëse Qeveria në përgjithësi e respektoi këtë të drejtë, pati raportime të besueshme që disa zyrtarë publikë, politikanë, biznese dhe grupe radikale fetare përpiqeshin t’i kërcënonin përfaqësuesit e mediave. Problemet financiare gjithashtu e dëmtuan pavarësinë e mediave”, thuhet në raport, shkruan Demokracia.com.
Po ashtu, në raport përmenden edhe vështirësitë që kanë hasur gazetarët marrjes së informacionit nga ana e Qeverisë dhe institucioneve publike, pavarësisht ligjeve që sigurojnë qasje në dokumentet publike.
“Komisioni i Pavarur për Media i rregullon frekuencat e transmetimit, lëshon licenca për transmetuesit publikë dhe privatë, dhe vendos për politikat e transmetimit”.
Dhuna dhe ngacmimi:
Sipas raportit, që nga dhjetori, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës raportoi për 26 raste në të cilat zyrtarë qeveritarë, grupe afariste, grupe të komunitetit apo grupe fetare e cenuan
lirinë e shtypit duke i sulmuar fizikisht ose kërcënuar gojarisht gazetarët.
“Në fund të shkurtit, gazetari hetues, Visar Duriqi, u sulmua jashtë shtëpisë së tij nga tre persona të cilët thuhej se po e prisnin kthimin e tij. Ai u lëndua shumë, përfshirë hundën e thyer dh humbjen e dhëmbëve, dhe kërkoi trajtim në spital. Raportimi i Duriqit shpesh e mbulonte krimin dhe korrupsionin, përfshirë analizën për keqpërdorim të subvencioneve bujqësore, për të cilat ai foli në stacionin televiziv lokal Kanal-10 në mbrëmjen kur u sulmua. Policia i ka nisur hetimet për incidentin, por asnjë i dyshuar nuk është identifikuar. Avokati i Popullit e cilësoi dhunën si sulm ndaj lirisë së shprehjes. Më 17 prill, hetuesit policorë e intervistuan Parim Ollurin, drejtor i agjencisë së lajmeve online Insajderi, lidhur me raportimin e revistës për dështimin e pretenduar të Ministrit të Shëndetësisë për ta nënshkruar blerjen zyrtare të vaksinave Pfizer për COVID-19. Olluri pohoi se policia i kërkoi atij t’i identifikonte burimet e tij të informacionit. Asociacioni i Gazetarëve dhe shoqëria civile e dënuan policinë dhe qeverinë për gjoja shkeljen e Ligjit për Mbrojtjen e e Ligjit për Mbrojtjen e Burimeve të Gazetarëve.
Po ashtu, në raport përmendet edhe sulmi ndaj gazetarëve, që i mbulonin protestat në Mitrovicën e Veriut, gjatë një operacioni kundër kontrabandës të kryer nga Policia e Kosovës.
“Më 13 tetor, protestuesit i sulmuan disa gazetarë të mediave në gjuhën shqipe dhe serbe (përfshirë Radion Evropa e Lirë) që i mbulonin protestat në Mitrovicën e Veriut pas një operacioni kundër kontrabandës të kryer nga policia. Gazetarët raportuan se protestuesit ua morën dhe ua thyen video pajisjet, i ndoqën gazetarët në këmbë dhe në vetura dhe hodhën gurë, kokteje Molotovi dhe pajisje të tjera shpërthyese në media”, thuhet në raport.
Censurimi ose kufizimi i përmbajtjes:
Tutje në raport përmendet presoni i politikës ndaj gazetarëve dhe se gazetarët nganjëherë pranonin oferta të përfitimeve financiare në këmbim për raportim pozitiv apo heqje dorë nga hetimi.
Nuk pati raportime për censurim të drejtpërdrejtë të mediave të shkruara apo elektronike, megjithatë, gazetarët pohonin që presioni nga politikanët dhe grupet e organizuara kriminale shpesh rezultonte në vetëcensurim. Disa gazetarë përmbaheshin nga raportimi hetues kritik për shkak të frikës për sigurinë e tyre fizike apo për sigurinë e vendit të tyre të punës. Gazetarët nganjëherë pranonin oferta të përfitimeve financiare në këmbim për raportim pozitiv apo heqje dorë nga hetimi. Sipas Asociacionit të Gazetarëve, zyrtarë qeveritarë, dhe kriminelë të dyshuar, gojarisht i kërcënonin gazetarët për raportimin që konsiderohej negativ. Sipas disa redaktorëve, agjencitë qeveritare dhe korporatat i tërhiqnin reklamat nga gazetat që publikonin material kritik për ta. Gazetarët u ankuan që pronarët dhe menaxherët e mediave nuk i lejonin të publikonin apo transmetonin storje kritike për Qeverinë, partitë politike apo zyrtarë të caktuar. Në disa raste, gazetarët raportonin që pronarët e mediave i kërcënonin se do t’i largonin nga puna po të shkruanin raporte kritike. Gazetarët gjithashtu u ankuan që pronarët e mediave i ndalonin të raportonin për korrupsion të nivelit të lartë në Qeveri”, thuhet në raport.
Në raport thuhet se që nga gushti, Institucioni i Avokatit të Popullit ishte duke i hetuar 26 ankesa nga mediat, organizatat e shoqërisë civile dhe qytetarët individualë për shkelje të supozuara të së drejtës për qasje në dokumente publike.
“Institucioni i Avokatit të Popullit arriti në përfundimin se institucionet publike nuk kishin kapacitet profesional dhe staf për t’iu përgjigjur kërkesave për qasje në dokumente publike, duke çuar ose në vonesa të mëdha, ose në dështime në ofrimin e arsyetimit ligjor për refuzim ose kufizim të qasjes”.