Shërbimi Informativ i Shtetit (SHISH) në Shqipëri ka dorëzuar dy dokumente sekrete.
Dokumentacionin e deponuan Ministria e Drejtësisë, ajo e Punëve të Jashtme dhe të Brendshme, si dhe Prokuroria e Përgjithshme.
Këto dokumente i janë ofruar Komisionit të Posaçëm të Kuvendit të Shqipërisë që do të hetojë dhe më pas të dalë me raport informues mbi pretendimet që dalin nga raporti i anëtarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës Dick Marty – miratuar para dhjetë vjetëve – mbi të cilin u themelua Gjykata Speciale.
Komisioni në Tiranë mëton të japë përgjigje mbi pretendimet e Martyt se përfaqësues politikë dhe institucionalë nëpërmjet veprimeve apo mosveprimeve kanë ndihmuar të ashtuquajturën “veprimtari kriminale” të drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Mbi këtë zhvillim ka folur Bardhyl Mahmuti, ish-zëdhënës politik i UÇK-së dhe autor i librit ”Mashtrimi i madh” me anë të të cilit argumenton se raporti i senatorit zviceran e mban vetëm emrin e tij, por është i përpiluar nga Shërbimi Sekret i Serbisë.
Pos kësaj, Mahmuti thotë se ka mangësi në qasjen e Shqipërisë ndaj Raportit të KiE-së, kjo qysh në gjenezën e tij kur u miratua më 25 janar të 2011-ës.
Dokumenti i votuar para një dekade fliste edhe për trafikim organesh në një objekt banues në veri të Shqipërisë në periudhën e luftës së Kosovës.
Por, në aktakuzat e para të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë, siç është ajo ndaj ish-katër krerëve të UÇK-së, kjo vepër nuk përmendet fare.