Misioni i OSBE-së në Kosovë, të martën ka publikuar raportin e monitorimit të gjykimeve të rasteve të dhunës në familje në Kosovë, me ç’rast u theksua se ky raport alarmon për qasjen në drejtësi sa i përket dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore, raporton Ekonomia Online.
Michael Davenport, nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, tregoi për tri gjetje të rëndësishme në këtë raport.
“Së pari, shumë pak nga këto raste kanë respektuar afatet procedurale sipas ligjit. Kjo ngre shqetësim të madh, sa i përket sigurisë së viktimave, së dyti është parë që Gjykatat shpeshherë kanë shqiptuar dënime me kusht dhe gjoba, kjo është devijim nga Gjykata Themelore, devijim i viktimave për të raportuar për dhunën, së fundi është ngritur në raport, një shqetësim për trajtim për urdhër mbrojtës, nuk ka pasur përfaqësues të punës speciale, rreth 60 për qind të rasteve që ne si OSBE kemi monitoruar”, tha ai.
Ai tha se nga viti 2019 janë rritur 30 për qind të rasteve të vrasjes ndaj gruas.
“Misioni mbështet MD-në në ngritjen e vetëdijesimit për qytetarët e Kosovës në baza gjinore dhe dhunë seksuale, vrasja e gruas 30 për qind rritje të vrasjes së gruas, nga viti 2019, kemi nevoje urgjente në trajtimin e këtyre rasteve”, tha ai.
Raporti i gjetjeve i publikuar sot ka trajtuar 141 raste të monitoruara nga gjykimi i OSBE-së, nga periudha janar-dhjetor të vitit 2023.
“Ky raport që e lansojmë sot analizon 141 raste të monitoruara nga gjykimi i OSBE-së, nga periudha janar-dhjetor 2023. Fokusi ynë në përgatitjen e këtij raporti, kemi prani të madhe në tërë Kosovën përmes 5 qendrave rajonale”, tha Davenport
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se ky raport alarmon për gjendjen në Kosovë sa i përket dhunës në familje.
“Gjetjet e raportit janë një alarm për sistemin e drejtësisë, por për të gjitha institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës nga 141 raste vetëm 34 për qind të rasteve janë dënime me gjobë”, tha Haxhiu.
Ndërsa, një problematikë tjetër sipas ministres janë edhe dënimet që Gjykatat shqiptojnë ndaj dhunuesve, ku shuma është 350 euro.
“Shuma mesatare e gjobës për dhunë është 350 euro, Gjykatat shqiptojnë dënim alternativ me dënim me kusht ose gjobë. Nuk kemi asnjë rast që është shqiptuar dënim maksimal për dhunën në familje”, tha Haxhiu.