Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, William Barr, ka thënë se më së largu në mes të prillit do ta publikojë një kopje të raportit hetimor të përbërë prej 400 faqeve.
Raporti në fjalë është kryer nga Robert Meuller, i cili ka të bëjë me hetimin e ndërhyrjes ruse në zgjedhjet amerikane të vitit 2016, shkruan Reuters.
“Së shpejti të gjithë do të jenë në gjendje ta lexojnë atë”, ka thënë Barr në letrën që i ka dërguar Senatit amerikan.
Ai po ashtu ka thënë se është i gatshëm të paraqitet para dy komisioneve për të dëshmuar rreth raportit Meuller.
Kujtojmë se hetuesi special Robert Mueller e ka përfunduar hetimin e tij mbi ndërhyrjen ruse më 22 mars të këtij viti.