Raporti vjetor i punës së Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim për vitin 2021, u kritikua nga anëtarët e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturё, Rini dhe Sport, raporton Ekonomia Online.
Nënkryetarja e komisionit, Albena Reshitaj, deklaroi se raporti lë shumë për të dëshiruar, pasi përmban gabime teknike, derisa pyeti se si KSHC-ja bën kërkesë për akreditim apo heqje të tij, pasi nuk është gjetur bazë ligjore.
Ajo ta se në këtë raport, nuk është përfshirë edhe dorëheqja e anëtarëve të KShC-së.
“Ne e kemi marr një raport nga ju. Raporti lë për të dëshiruar duke pas parasysh disa mospërputhje të numrit të programeve të akredituar dhe jo akredituara. Disa gabime në shifra që në këtë raport nuk do të duhet të ishin fare. Kërkesa për akreditim mund të bëhet nga 10 institucione nga arsimi i lartë”, tha ajo.
“Cila është baza ligjore që ju mundeni me paraqit kërkesës për akreditim të programeve. Ju keni referuar një vlerësim të vitit 2018 nuk i përgjigjet periudhës së raportimit në emërimin dhe shkarkimin e drejtorit të Agjencisë. Keni pas obligim të raportoni për vitin 2021 jo për vitin 2020”, tha tutje Reshitaj.
“Tek faqja 14 e këtij raporti akreditimi institucional, tek numri 7 e keni shënuar kolegji UBT Gjilan, me vonë e keni shkruar Pejë në cilin qytet u akreditua?. Ka mospërputhje të numrit të programeve që janë akredituar dhe joakredituar. Fillimisht keni problem në numrin total të programeve.”
Këtë raport e konsideroi trishtuese edhe deputeti i VV-së, Jahja Kokaj.
“Propozoj t’i merrni këto dhe të bëni diçka më serioze. Ju propozoj që të vini edhe një here të përgatiteni se vetëm këto që i përmendi profesoresha Albena (Reshitaj) janë trishtuese”, tha Kokaj.
Kryetarja e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Hasnie Ilazi, u mundua ta arsyetojë raportin e punës së këtij institucioni.
Duke mos dhënë detaje për raportin, foli për vizitën që kanë pasur në Gjermani, e që sipas saj kanë marrë pjesë 29 agjencione të ndryshme.
“Raporti i është dorëzuar në formë të 3 mujorit të parë siç është kërkuar sipas legjislacionit. Një pjesë e raportit i dedikohet punës të cilat kanë qenë në cilësinë e bordit paraprak. Për një periudhë një vjeçare dhe atë paraprake është bërë një punë shumë e madhe përmes drejtimit të mekanizmave qe sigurojnë cilësinë e lartë. Kemi pas problemin e akreditimit të 239 programeve dhe kjo na ka marrë energji. Pas përfundimit të kësaj periudhe kemi pas periudhë më të qetë ku jemi takuar disa here për t’i parë prioritetet e bordit. Kemi krijuar disa dokumente siç është dokumenti i parë për 5 vite. Ne kemi qenë si delegacion në Gjermani, dhe kemi qenë 29 agjensione që kanë marrë pjesë. Edhe një here është diskutuar nevoja për përshpejtimin e procedurës së krijimit të ligjit. I vetmi shtet përveç Kosovës është Çekia që nuk është pjesë e ENKAS. Vazhdojmë me vendos themele të një pune që nuk do të jetë at-hoc për të ardhmen”, tha ajo.
Ilazi theksoi se është punë e rëndësishme në drejtim të mekanizmave që të sigurohet cilësia në arsimin e lartë.
“E kemi prioritet kthimin në ENQA dhe ENQAR. Në këtë drejtim ne i kemi aprovuar disa dokumente që garantojë funksionin e agjensionit. Kemi qenë në Gjermani, kemi pasur takime me përfaqësues të ENQA dhe ENQAR. Prej 29 agjencive që kemi qenë në këto takime, ne kemi qenë të vetmit nga rajoni. Ne jemi përgatitë shumë për vizitën e tyre që do ta kemi në nëntor dhe shpresojmë që deri atëherë do të përfundojë puna e ligjit për AKA-në”, deklaroi Ilazi.
Ajo shtoi para komisionit se kanë nisur rishikimin e plotë të standardeve.
“Jemi në proces të akreditimi për këtë vit, vizita e fundit do të jetë më 20 qershor. Mbledhja e fundit do të mbahet më 30 qershor në mënyrë që konkurset në IAL të jenë të shpallura me kohë”, shtoi ajo.
Ilazi kërkoi që të bëhet sa më shpejt ligji për kompetencat e KSHC-së, pasi tha se aktualisht është e specifikuar nëpërmjet një udhëzimi administrativ.