Të dhënat e reja tregojnë se ankthet e popullsisë janë të përhapura dhe qeveritë po miratojnë gjithnjë e më shumë politika që synojnë rritjen, uljen ose ruajtjen e normave të lindshmërisë. Por, përpjekjet për të ndikuar në normat e lindshmërisë janë shumë shpesh joefektive dhe mund të minojnë të drejtat e grave, sipas raportit mbi Gjendjen e Popullsisë së Botës të UNFPA-së, të publikuar sot.
Raporti vjetor i UNFPA “8 miliardë jetë, mundësi të pafundme: çështja për të drejtat dhe zgjedhjet” bën thirrje për një rishikim radikal të mënyrës se si janë kornizuar numrat e popullsisë – duke u kërkuar politikanëve dhe mediave që të braktisin narrativat e stërfryra mbi rritjen apo reduktimin e popullsisë. Në vend që të pyesin se sa shpejt po riprodhohen njerëzit, udhëheqësit duhet të pyesin nëse individët, veçanërisht gratë, janë në gjendje të bëjnë lirisht zgjedhjet e tyre riprodhuese – një pyetje, përgjigjja e së cilës, shumë shpesh, është jo.
“Trupat e grave nuk duhet të mbahen rob të objektivave të popullsisë,” thotë Drejtoresha Ekzekutive e UNFPA, Dr. Natalia Kanem. “Për të ndërtuar shoqëri të lulëzuara dhe gjithëpërfshirëse, pavarësisht nga numri i popullsisë, ne duhet të rimendojmë rrënjësisht se si flasim dhe planifikojmë ndryshimin e popullsisë.”
44 për qind e grave dhe vajzave me partnerë në 68 vende raportuese nuk e kanë të mundur të marrin vendime të informuara për trupin e tyre, kur bëhet fjalë për seksin, përdorimin e kontracepsionit dhe kërkimin e kujdesit shëndetësor. Rreth 257 milionë gra në mbarë botën kanë një nevojë të paplotësuar për kontracepsion të sigurt dhe të besueshëm.
Historia ka treguar se politikat e lindshmërisë të krijuara për të rritur ose ulur nivelet e lindjeve janë shumë shpesh joefektive dhe mund të minojnë të drejtat e grave. Shumë vende kanë zbatuar programe për të krijuar familje më të mëdha, duke ofruar stimuj dhe shpërblime financiare për gratë dhe partnerët e tyre, megjithatë ato vazhdojnë të shohin normat e lindjeve nën dy fëmijë për grua. Dhe përpjekjet për të ngadalësuar rritjen e popullsisë përmes sterilizimit të detyruar dhe kontracepsionit shtrëngues kanë shkelur rëndë të drejtat e njeriut.
Planifikimi familjar nuk duhet të përdoret si mjet për arritjen e objektivave të fertilitetit. Është një mjet për fuqizimin e individëve. Gratë duhet të jenë në gjendje të zgjedhin vetë nëse, kur dhe sa fëmijë do të donin të kishin, të lira pa asnjë detyrim ekspertët apo zyrtarët.
“Alarmizmi që dominon diskutimet publike mbi normat e lindshmërisë paraqet rreziqe reale: kërcënon të na shpërqendrojë nga gjetja e zgjidhjeve konstruktive për problemet serioze, por të zgjidhshme. Dhe rrezikon të bëhet një arsyetim për mohimin e të drejtave dhe autonomisë së trupit të grave dhe vajzave.”, tha Florence Bauer, Drejtore e Zyrës Rajonale të UNFPA-së për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore.
Raporti rekomandon fuqimisht që qeveritë të krijojnë politika duke pasur barazinë dhe të drejtat gjinore në zemër, të tilla si programet e lejes prindërore, kredi tatimore për fëmijët, politika që promovojnë barazinë gjinore në vendin e punës dhe aksesin universal në shëndetin dhe të drejtat seksuale dhe riprodhuese. Këto ofrojnë një formulë të provuar që do të korrë dividentë ekonomikë dhe do të çojë në shoqëri të qëndrueshme të afta të lulëzojnë, pavarësisht se si ndryshojnë popullsitë.
Faktet dhe shifrat kryesore nga raporti “Gjendja e popullsisë së botës 2023”:
1. Njëzet e katër për qind e grave dhe vajzave partnere nuk janë në gjendje t’i thonë jo seksit dhe 11 për qind nuk janë në gjendje të marrin vendime në mënyrë specifike për kontracepsionin, sipas të dhënave nga 68 vende raportuese.
2. Një studim i tetë vendeve tregoi se njerëzit që ishin ekspozuar ndaj mediave ose bisedave rreth popullsisë së botës kishin më shumë gjasa ta shihnin popullsinë globale si shumë të lartë.
3. Demografia globale po ndryshon me shpejtësi: Dy të tretat e njerëzve jetojnë në kontekste me fertilitet të ulët, ndërsa tetë vende do të përbëjnë gjysmën e rritjes së parashikuar të popullsisë globale deri në vitin 2050 (Republika Demokratike e Kongos, Egjipti, Etiopia, India, Nigeria, Pakistani, Filipinet dhe Republika e Bashkuar e Tanzanisë), duke riorganizuar në mënyrë dramatike renditjen botërore të vendeve më të populluara.
4. Fajësimi i lindshmërisë për ndryshimet klimaterike nuk i mban përgjegjës emetuesit më të mëdhenj të karbonit. Nga 8 miliardë njerëz, rreth 5.5 miliardë nuk fitojnë para të mjaftueshme, rreth 10 dollarë në ditë, për të kontribuar ndjeshëm në emetimet e karbonit.
5. Një studim i kohëve të fundit i OKB-së thotë se barazia më e madhe gjinore në fuqinë punëtore do të kontribuonte më shumë për të mbështetur ekonomitë në shoqëritë që po plaken dhe me fertilitet të ulët, se sa vendosja e objektivave që gratë të kenë më shumë fëmijë.
Shënim për redaktorët
Raporti “Gjendja e Popullsisë së Botës” është botimi kryesor vjetor i UNFPA-së. I botuar çdo vit që nga viti 1978, ai hedh dritë mbi çështjet e reja në fushën e shëndetit dhe të drejtave seksuale dhe riprodhuese, duke i nxjerrë ato në pah dhe duke eksploruar sfidat dhe mundësitë që ato paraqesin për zhvillimin ndërkombëtar. Raporti i këtij viti përfshin kontribute nga dy partnerë të OKB-së: Organizata Ndërkombëtare për Migracionin dhe Divizioni i Popullsisë i Departamentit të Çështjeve Ekonomike dhe Sociale.
Si agjensi e Kombeve të Bashkuara për shëndetin seksual dhe riprodhues, UNFPA i ndihmon njerëzit të marrin kontraceptivë, shërbime dhe informacione mbi shëndetin riprodhues, që shpëtojnë jetën dhe fuqizojnë gratë dhe vajzat të marrin vendime të informuara për trupin dhe jetën e tyre.
● Mund të gjeni raportin e UNFPA-së për Gjendjen e Popullsisë së Botës “8 miliardë jetë, mundësi të pafundme: çështja për të drejtat dhe zgjedhjet”, këtu: www.unfpa.org/swp2023
● Për më shumë informacion rreth UNFPA-së, ju lutemi vizitoni: www.unfpa.org
● Për intervista ose më shumë informacion, ju lutemi kontaktoni: Donika Krasniqi, [email protected]
Citate shtesë nga Drejtoresha Ekzekutive e UNFPA-së, Dr. Natalia Kanem
“Riprodhimi njerëzor nuk është as problemi, as zgjidhja. Kur vendosim barazinë dhe të drejtat gjinore në qendër të politikave tona të popullsisë, ne jemi më të fortë, më elastikë dhe më të aftë për t’u përballur me sfidat që vijnë nga ndryshimi i shpejtë i popullsisë.”
“Ndjekja e objektivave të lindshmërisë dhe përpjekja për të ndikuar në vendimmarrjen riprodhuese të grave do të përfundojë vetëm në dështim. Historia ka treguar se politika të tilla rrallëherë janë efektive dhe minojnë të drejtat e grave. Investimi te njerëzit dhe potenciali i tyre është rruga më e sigurt drejt prosperitetit dhe paqes.”