Demokratët në Shtetet e Bashkuara vazhdojnë presionin mbi presidentin Donald Trump, edhe pas publikimit të raportit për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016.
Ata duan që Robert Mueller, këshilltari i posaçëm që ka hartuar raportin, të dëshmojë publikisht përpara Kongresit për punën që ka bërë.
Mueller konfirmoi gjetjet e inteligjencës amerikane se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2016 që i ka fituar Trump dhe dokumentoi përpjekjet e presidentit për të minuar hetimin e tij.
Por, Mueller nuk tha se Trump ka bashkëpunuar me zyrtarët rusë.
Gjetjet e tij u detajuan në një raport 448 faqesh, pjesërisht të redaktuar, që u publikua të enjten, përcjell rel.
Ky raport po ashtu nxori në pah fushat ku Trump dhe bashkëpunëtorët e tij mund të përballen ende me probleme ligjore.
Raporti u mirëprit nga Trump, i cili rikujtoi deklaratat e tij se ai dhe bashkëpunëtorët e tij as nuk kanë bashkëpunuar me zyrtarët rusë, as nuk kanë bërë përpjekje të pengonin hetimet.
Duke folur në një ngjarje për veteranët, Trump tha se po kalon një “ditë të mirë”, duke shtuar se nuk ka pasur “asnjë bashkëpunim” me Rusinë dhe as pengim të drejtësisë.
Publikimi i raportit mbyll një kapitull të hetimeve që hodhi hije mbi presidencën e Trumpit, madje edhe përpara se të merrte detyrën.
Megjithatë, udhëheqësit demokratë të Kongresit, Nancy Pelosi dhe Chuck Schumer, përmes një deklarate të përbashkët, thanë se raporti paraqet “një imazh shqetësues të një presidenti me një varg mashtrimesh, gënjeshtrash dhe sjelljesh të pahijshme”.
Ata po ashtu thanë se “Kongresi duhet të vlerësojë sjelljen e padrejtë, korruptive dhe imorale të presidentit, në përpjekje për të penguar hetimet”.
Demokrati numër dy i Dhomës së Përfaqësuesve, Steny Hoyer, tha se nxjerrja e presidentit në votëbesim nuk ia vlen, pasi zgjedhjet e reja presidenciale do të mbahen në nëntor të vitit të ardhshëm.
“Bazuar në atë që kemi parë deri më tash, votëbesimi nuk ia vlen. Zgjedhjet do të mbahen pas 18 muajsh dhe populli amerikan do të gjykojë”, tha Hoyer për CNN-in.
Përfaqësuesi demokrat, Jerrold Nadler, kryetar i Komitetit për Drejtësi në Dhomën e Përfaqësuesve, kërkoi që Kongresi të ketë raportin e plotë, të paredaktuar të Muellerit.
“Këshilltari i posaçëm e bën të qartë se nuk e ka shfajësuar presidentin dhe tani përgjegjësia është te Kongresi, për ta bërë presidentin përgjegjës për veprimet e tij. Kongresi duhet ta ketë raportin e plotë, të paredaktuar, së bashku me provat e mbledhura nga këshilltari i posaçëm, Mueller”, tha Nadler.
Përpara publikimit të raportit, prokurori i përgjithshëm i SHBA-së, William Barr, mbajti një konferencë për media në Uashington, ku dha detaje mbi raportin.
Barr tha se hetimet nuk kanë gjetur prova se Trump ose anëtarët e fushatës së tij kanë bashkëpunuar me përpjekjet e Rusisë për të ndërhyrë në zgjedhje.
Barr, i cili ka publikuar një përmbledhje prej katër faqesh të raportit në fund të muajit të kaluar, po ashtu tha se raporti i Muellerit nuk paraqet asnjë dëshmi se Trump ka bërë përpjekje të pengojë drejtësinë.