Komisioni për Qeverisje Lokale, Administratë Publike, Zhvillim Rajonal dhe Media, ka shqyrtuar sot raportin vjetor të Radio Televizionit të Kosovës për vitin 2019.
Për të raportuar lidhur me këtë raport, në mbledhjen e komisionit ishin të pranishëm drejtori dhe katër anëtarë të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës.
Duke iu referuar këtij raporti, drejtori i RTK-së, Ngadhnjim Kastrati, së bashku me anëtarët e tjerë, paraqiten të arriturat e RTK-së në këtë periudhë kohore, por duke mos lënë anash sfidat me të cilat janë ndeshur gjatë kryerjes së detyrave që u takojnë.
Bordi i pakompletuar udhëheqës i RTK-së, u tregua se ishte një nga sfidat kyçe për procedim të mëtutjeshëm të çështjeve me rëndësi në këtë medium publik, pasi që, siç u tha nga përfaqësuesit e RTK-së, nuk mund të formohej kuorumi për marrjen e vendimeve. Po ashtu, pajisjet e vjetruara dhe zvogëlimi i buxhetit të ndarë për RTK-në për vitin 2020, ishin dy shqetësime të tjera që ky Bord paraqiti para komisionit.
Drejtori Kastrati tha se punëtorë të rregullt në RTK janë më pak se 800, ndërsa rreth 200 janë me kontrata mbi vepër.
Lidhur me raportimin gjatë zgjedhjeve, Kastrati theksoi se mbulimi i ngjarjeve ka qenë i barabartë për të gjitha partitë, megjithëse ka pasur vërejtje se një partie i është dhënë më shumë hapësirë.
Kastrati foli edhe për të hyrat në RTK. Ai tha se sa i përket marketingut, shuma e lejuar nga kjo kategori është e përcaktuar me ligj.
“RTK ka kritere për marketing, sepse e përcakton ligji. Jemi duke punuar në raportin e shikueshmërisë”, tha ai.
Ndër të tjera, Kastrati u shpreh se për këtë vit janë paraparë më shumë investime kapitale si shkak i buxhetit, por që kanë stagnuar arsyeja e pandemisë.
“Pasi të kompletohet bordi do të rishikohet buxheti. Nuk mundemi me paraparë në buxhet shlyerjen e borxheve sepse nuk mund të fusim në projekt-buxhet. Ka reagime sa i përket serialeve, por nëse shikohet ka që ofrojnë diçka të mirë”.
Kurse sa i përket rastit të raportimit të gazetares nga RTK2 në veri e cila i është referuar Kosovës si “Kosovo i Metohoja”, Kastrati tha se ajo është suspenduar nga puna, raporton EO.
“Kam reaguar sa i përket raportimit të gazetares në veri, por nuk mund të paragjykojmë se cili ka qenë qëllimi. KPM është marrë me këtë çështje. Një numër i gazetarëve dhe redaktoreve i ka kaluar kontrata dhe nuk ka qenë situatë normale, por rasti i saj ka marrë dënime është suspenduar”.
“RTK e ka derën hapur nëse dikush dëshiron të verifikoj diçka”, deklaroi Kastrati.
Anëtari i Bordit të RTK-së, Sali Bashota, premtoi se në këtë vit RTK-ja do të ketë një skemë më të pasur edukative-arsimore dhe të kulturës për vendin.
“Ne kemi konstatuar se ka nevojë që RTK të jetë programe edukative arsimore që janë në interes për shikuesit”.
“Këtë vit kemi planifikuar që të kemi emisione shumë, por si shkak i situatës disa nuk kanë filluar. Në gjashtëmujorin e dytë të këtij viti do të kemi një sensibilizim të opinionit për emisionet që lidhen me kulturën dhe arsimin”, deklaroi ai.
Nga ana tjetër, anëtarët e komisionit parashtruan para Bordit pyetje për aspektin teknik të funksionimit të RTK-së, dhe me theks të veçantë u ndalën te përzgjedhja e stafit të këtij mediumi, performanca e tyre, kontratat e punës, përfaqësimi i informatave në mënyrë të ekuilibruar, skema buxhetore dhe përmbajtjen programore të tij.
U vlerësuan arritjet por gjithashtu u adresuan edhe kritika e sugjerime rreth punës që bëhet në mediumin publik. Ndër të tjera, u kërkua edhe përfaqësim i barabartë i komuniteteve jo shumicë dhe hapësirë e njëjtë mediatike për partitë politike.
Kryetari i Komisionit, Mërgim Lushtaku, kërkoi nga bordi i RTK-së të dijë se a ka pasur një raport që tregon me sekonda janë ndarë në mënyrë të rregullt për partitë politike gjatë zgjedhjeve të fundit, derisa kërkoi të shikohet edhe ueb faqja apo ndonjë dokumentar nëse anon nga ndonjë parti.
Kurse lidhur me raportin, Lushtaku propozoi ai që të shkojë në seancë në Kuvend, ku deputetët do të diskutojnë dhe vendosin.
Anëtarja e komisionit nga radhët e VV-së, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, kritikoi Bordin për keqmenaxhim. Ajo u interesua të dijë se çfarë parregullsisë janë përmirësuar, sikur shkruan në raport.
Mes tjerash, Kryeziu-Hyseni konstatoi se në televizionin publik ka shumë emisione argëtuese e jo edukative-arsimore, megjithëse kjo medie paguhet nga taksat e qytetarëve.
Sipas saj, në RTK gjenden 600 përshkrime të vendeve të punës derisa ato nuk gjenden në raport, gjë të cilën e quajti skandaloze.
Edhe Mirlinda Sopi-Krasniqi nga AKR-ja shprehu shqetësimin se RTK-ja nuk e mbulon as 8% skemën programore-edukative derisa kërkoi të ndryshohet në këtë vit.
Duke vlerësuar se më shumë hapësirë po iu jepet programeve argëtuese sesa atyre me karakter edukativ, arsimor dhe kulturor, anëtarët e komisionit rekomanduan pasurim të mëtutjeshëm të programit në këtë aspekt.
Anëtari tjetër i komisionit, Rasim Selmanaj (AAK), përgëzoi Bordin për shlyerjen e borxheve dhe që gjatë këtij viti nuk ka pasur konkurse e kontrata të reja.
Ai kërkoi t’i kthehet buxheti prej 2.3 milionë euro pasi tha se kjo e ka vështirësuar punën e RTK-së.
Kurse pati vërejtje dhe e quajti gabim të televizionit publik që i është dhënë një kompanie private mediale udhëheqja e mësimit online.
Edhe Sopi-Krasniqi tha se është shqetësuese marrja e udhëheqjes së mësimit online nga një kompani private.
Ardian Shala (LDK) ka kërkuar të dijë për performancën e RTK-së derisa kërkoi edhe një raport të auditimit të pasqyrave financiare.
Albert Kinolli, nga Partia Rome, ngriti një shqetësim se redaksia rome në RTK2 punon pa pagesë.
Agon Batusha nga LVV-ja pyeti nëse ka gjasa që të falimentojë RTK si shkak i përmbaruesve. “Po ashtu, dua të dijë se çfarë po ndiejnë me punëtorët që marrin pagë e nuk dalin në punë”.
Ai kërkoi të bëhet një komision hetimor parlamentar “për pastrimin e ndërmarrjes e të fillojë nga zeroja”.
Edhe anëtari tjetër i VV-së, Valon Ramadani, kërkoi “reformim dhe hetim ndaj RTK-së”.
Rekomandimet e anëtarëve të komisionit u vlerësuan të drejta nga ana e Bordit të RTK-së, anëtarët e të cilit bënë me dije se 6-mujorin e dytë të vitit, RTK-ja do të pasurohet edhe më shumë me skema programe edukative. Por, parësore për RTK-në në këtë fazë, sipas anëtarëve të Bordit, është përzgjedhja e anëtarëve të tjerë të Bordit.
Në këtë takim, anëtarët e komisionit iu referuan edhe njërit prej raporteve vlerësuese të BE-së për punën e RTK-së, duke paraqitur kritikat e tij dhe në fund nga kryesuesi i komisionit dhe disa nga anëtarët e tij, u kërkua që sa më parë t’i kenë për shqyrtim edhe raportet e auditimit.
Pas një diskutimi të gjatë, raporti u hodh në votim, ku mori 3 vota pro, 3 kundër dhe 2 abstenime. Si i tillë, raporti u konsiderua i pamiratuar nga anëtarët e komisionit, por që kalon për shqyrtim në njërën prej seancave plenare.