Raportohet se Khamenei ka urdhëruar përgatitje për hakmarrje ndaj Izraelit

Prishtinë | 01 Nën 2024 | 12:16 | Nga Ekonomia Online

Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, i ka urdhëruar oficerët ushtarakë që të përgatitin një sulm hakmarrës kundër Izraelit, raportoi gazeta “The New York Times” të enjten, ndërsa disa zyrtarë të lartë iranianë paralajmëruan për kundërpërgjigje “të ashpra” dhe “të paimagjinueshme” ndaj sulmeve izraelite kundër objekteve ushtarake iraniane muajin e kaluar.

Në raportin e gazetës së njohur amerikane, ku citohen zyrtarë iranianë, thuhet se kundërpërgjigjja e Teheranit nuk do të vijë para zgjedhjeve presidenciale në ShBA më 5 nëntor, edhe pse disa mediume të tjera cituan burime të kenë thënë se sulmi i Iranit mund të ndodhë edhe para zgjedhjeve amerikane, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Udhëheqësit iranianë kanë kërcënuar se do të bëjnë veprime hakmarrëse, pasi Forca Ajrore Izraelite sulmoi bateri kundërajrore dhe qendra të radarëve në pjesë të ndryshme të Iranit më 26 tetor si hakmarrje për sulmin masiv iranian me raketa balistike ndaj Izraelit më 1 tetor.

Gazeta “The New York Times”, duke cituar tre zyrtarë të afërt me planifikimet e Teheranit për luftime, tha se lideri suprem kishte dhënë urdhër që të bëhen plane nga Këshilli Suprem i Sigurisë Kombëtare të hënën, pasi ishte njoftuar për nivelin e dëmit të shkaktuar nga sulmet izraelite.

Irani ka pretenduar se sulmet izraelite kanë shkaktuar vetëm dëme minimale, por ka pranuar se katër ushtarë janë vrarë. Në anën tjetër, Izraeli pretendon se sulmet e tij me sukses kanë shkatërruar mbrojtje ajrore dhe kapacitete për prodhimin e raketave në Iran.

Sipas të përditshmes amerikane, Khamenei beson që vdekja e katër ushtarëve dhe niveli i sulmit izraelit bëjnë të nevojshme një kundërpërgjigje në mënyrë që Irani të mos duket sikur po e pranon humbjen.

Në një raport të uebfaqes amerikane të lajmeve, “Axios”, thuhet se inteligjenca izraelite është duke u përgatitur për një sulm iranian që mund të vijë në ditët e ardhshme dhe që mund të përfshijë numër të madh të raketave balistike e dronëve që do të hidheshin nga grupet e përkrahura nga Irani në Irak.

Të ngjashme