Raportohet se Lavrovi do ta vizitojë BE-në për herë të parë që nga fillimi i luftës në Ukrainë

Prishtinë | 01 Nën 2024 | 09:24 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Sergei Lavrov, planifikon që ta vizitojë Maltën në dhjetor për të marrë pjesë në një takim të Këshillit Ministror të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), raportoi gazeta ruse “Vodomosti” të premten, duke e cituar zëdhënësen e Ministrisë së Jashtme, Maria Zakharova.

Kjo do të jetë vizita e parë e kryediplomatit rus në një shtet të Bashkimit Evropian që nga dërgimi i dhjetëra mijëra trupave ruse në Ukrainë në shkurt të vitit 2022, raporton agjencia “Reuters”.

Ambasada e Maltës në Rusi i tha gazetës “Vedomosti” se vendimi për ta mbajtur takimin e Këshillit Ministror të OSBE-së në ishull më 5 dhe 6 dhjetor “vlen për të gjithë anëtarët, përfshirë Federatën Ruse”.

“Delegacionet e OSBE-së njoftohen rregullisht për përparimin e përgatitjeve. Hollësi të mëtejme praktike, përfshirë ftesat, do t’u dërgohen delegacioneve të OSBE-së në kohën e duhur” – shtoi ambasada.

Të ngjashme