Rashica e mbyll fuqishëm stinorin e karrierës

Prishtinë | 20 Maj 2019 | 09:29 | Nga Ekonomia Online

Werder Bremeni nuk ia ka dalë të sigurojë daljen në Evropë për edicionin e ardhshëm, por ylli kosovar Milot Rashica me gol të shënuar i ka vënë kurorë edicionit më të suksesshëm në karrierën e tij. Werderi, të shtunën, fitoi 2:1 ndaj RB Leipzigut, në xhiron e fundit (34) të Bundesligës gjermane. Werderi përfundoi në vendin e tetë me 53 pikë dhe kështu mbeti jashtë zonës që dërgon në Evropë.

Vendi i shtatë është i fundit që dërgon në Evropë nga Bundesliga. Werderi ishte në garë për të dalë në Evropë, por Wolfsburgu nuk lejoi befasi duke fituar 8:1 ndaj Augsburgut dhe e la skuadrën e Rashicës jashtë garave evropiane për edicionin e ardhshëm, shkruan sot Koha Ditore.

Me gjithë faktin se nuk ka siguruar Evropën, ky edicion ishte i suksesshëm për Werderin e shumë i suksesshëm për 22-vjeçarin Rashica. Ai të shtunën kaloi në epërsi 1:0 Werderin në minutën e 35-të me gol të shënuar nga penalltia.

Kështu një edicion që nuk ka nisur mirë për të, Rashica e mbyll fuqishëm. Ai ka realizuar nëntë gola e pesë asistime në 26 paraqitje kampionale. Në ndeshjet për Kupë, ka kontribuar me tri gola e një asistim në katër paraqitje. Werderi u ndal nga Bayerni në gjysmëfinale të Kupës, ndërsa Rashica u shfaq fuqishëm ndaj gjigantit gjerman, duke shënuar një gol dhe duke dhënë një asistim në humbjen 3:2.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme