Milot Rashica po formalizon në limitin e merkatos së janarit, transferimin më të bujshëm të karrierës.
Anësori teknik i skuadrës së Vitesse në kampionatin holandez të futbollit mori leje nga klubi për të kryer testet mjekësore në Bundesliga dhe mediat nënvizojnë se destinacioni i tij do të jetë Shtutgarti.
Milot Rashica mungoi në stërvitjen e kësaj të marte në qytetin e Arnhem, pasi preferoi të ishte prezent në negociatat e fundit me agjentin e tij dhe skuadra e Vitesse konfirmoi se futbollisti po fokusohet te largimi.
Shtutgart, Freiburg dhe Hanover janë skuadrat që insistuan në merkaton e dimrit për futbollistin nga Kosova, që po finalizon kalimin në Bundesliga, me ndërmjetësimin e ish-mesfushorit të kombëtares shqiptare, Altin Lala. Vitesse ka marrë nëj ofertë zyrtare prej 10 milionë eurosh për Milot Rashicën dhe kërkon të përfitojë menjëherë, edhe pse futbollisti nga Vushtria konsiderohet mes talenteve më të mira në Holandë.
Që prej vitit 2015 kur aktivizohet te Vitesse, Rashica ka shënuar 13 gola në 86 ndeshje. Mesfushori i lindur në 28 qershor 1996, ka mbrojtur më parë ngjyrat e Kombëtares së Shqipërisë, para se të zgjidhte që me njohjen e Kosovës në FIFA, të luante për këtë përfaqësuese.