Ylli i Kosovës, Milot Rashica, po shkëlqen në Bundesligë me Werder Bremenin duke e përfaqësuar vendlindjen e tij, duke i mbajtur këpucët ku inicialet MR7 janë të shoqëruara me flamurin e Kosovës.
Milot Rashica e ka publikuar një video në llogarinë e tij zyrtare në rrjetin social Instagram, ku ai e ka etiketuar faqen e kompanisë Nike dhe e fokuson telefonin e tij te flamuri i Kosovës përkrah inicialeve të tij në këpucët me të cilat luan, transmeton Gazeta Express.
Rashica do të ketë mundësi t’i veshë këto këpuca të dielën në orën 15:30, kur skuadra e tij Werder Bremen do ta presë Hoffenheimin në shtëpi për ndeshjen e xhiros së 19-të të Bundesligës.
23-vjeçari nga Vushtrria ka qenë në superformë këtë sezon, duke arritur të kontribuojë me shtatë gola dhe tre asiste në 14 ndeshjet e tij në Bundesliga, si dhe me dy gola në dy ndeshjet e Kupës së Gjermanisë.
Këto paraqitje të mira të kosovarit kanë bërë që për të interesohen një numër i madh i klubeve evropiane, mirëpo futbollisti e ka bërë të qartë se nuk do të largohet nga Bremeni këtë muaj, duke e lënë kështu derën hapur për një transferim gjatë verës.
Në anën tjetër, trajneri i Kosovës, Bernard Challandes, do të shpresojë se Rashica do të vazhdojë me këtë formë të mirë deri afër fundit të marsit, kur, më 26 mars, Kosova do ta vizitojë Maqedoninë Veriore për ndeshjen gjysmëfinale të play-offs kualifikues për EURO 2020.